Lidhje

Kryeministri Blair nuk mendon se lufta në Irak ka rritur kërcënimin terrorist në botë - 2004-05-30


Kryeministri britanik Tony Blair tha se nuk mendon që lufta në Irak ta ketë rritur kërcënimin e terrorizmit në botë. Në një intervistë që i dha televizionit britanik për një numër të gjerë çështjesh, zoti Blair komentoi edhe për të ardhmen e Irakut si dhe për pozitën e tij të vështirë politike kryesisht për shkak të luftës në Irak. Tom Rivers njofton nga Londra. T A P E: I intervistuar nga televizioni BBC, kryeministri Blair u shpreh se do të ishte e gabuar të thuash që ndërhyrja e forcave të koalicionit në Irak e ka bërë botën më pak të sigurt.

“Terroristët janë tani në Irak. Ata janë në Arabinë Saudite, janë në vendet evropiane. Ata po përpiqen të veprojnë këtu. Çështja nuk është se kjo u provokua nga ngjarjet në Irak. Kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë dhe përbën këcënimin real të sigurisë përballë të cilit ndodhemi ne. Zgjidhja e situatës në Irak, vendosja atje e një qeverie të qendrueshme dhe jo të drejtuar nga Saddam Husseini është në fakt pjesë e fitores së betejës kundër terrorizmit”. Javën e kaluar, Instituti i Studimeve Strategjike me qendër në Londër arriti në përfundimin se lufta në Irak ka çuar në shtimin e anëtarëve të al-Qaidës kudo në botë. Sipas këtij instituti të respektuar, al-Qaida ka tani rreth 18 mijë anëtarë në 60 vende të botës.

Në intervistën e sotme, kryeministri Blair iu përgjigj gjithashtu kritikave të shpeshta në Britani sipas të cilave koalicioni nuk pati një strategji reale për të venë në veprim pas ndërhyrjes ushtarake.

“Kur njerëzit na thonë se kishim një plan për Irakun, në fakt ne e kishim planin të cilin po e zbatojmë. Por çështja e terrorizmit është shumë serioze. Dua të them se nuk ka dyshim që këta njerëz, për shkak të strategjisë shumë të thjeshtë që kanë mund të bëjnë mjaft dëme”. I pyetur nëse mendonte që gjendja e sigurisë është tani më e keqe se sa ai do të kishte shpresuar një vit më parë, udhëheqësi bratik tha se ai pret ditë akoma më të vështira përpara.

“Mendoj se tani dhe në muajt e ardhshëm ne jemi në periudhën më të keqe sepse në këtë kohë të transferimit të sovranitetit të Irakut, këta njerëz do të përpiqen të bëjnë ç’të munden për ta penguar këtë proces. Ne na duhet të përgatitemi për një gjë të tillë”. Javën e kaluar, sekretari britanik i mbrojtjes, njoftoi se 3 700 trupa shtesë britanike do të niseshin për në Irak. Ka patur spekulime të shumta se së shpejti ato do të pasohen nga rreth 3 mijë trupa të tjera. Kryeministri Blair nuk e mohoi këtë dhe tha se të gjitha alternativat për i përket nivelit të trupave, mbeten të hapura. Por ai parashikoi gjithashtu një pakësim të madh të trupave britanike në Irak për vitin e ardhshëm. “Shpresoj shumë se në muajt e ardhshëm ne do të shikojmë një përmirësim të gjendjes së sigurisë ndërkohë që irakianët aftësohen vetë nga pikpamja ushtarake. Shpresoj gjithashtu se pas një viti, do të kemi një pakësim të ndjeshëm në angazhimin e trupave britanike”. Megjithë efektin që lufta ka patur në nivelin e mbështetjes për kryeministrin britanik në anketat e opinionit, zoti Blair përsëri premtoi se do ta udhëheqë me sukses Partinë e tij Laburiste në zgjedhjet e ardhëshme që pritet të zhvillohen vitin tjetër.

XS
SM
MD
LG