Lidhje

Intervistë e Dekanit të Fakultetit Ekonomik, Prof. Dhori Kule - 2004-06-01


Dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Profesor Dhori Kule, mori pjesë këto ditë në një konferencë ekonomike të vendeve të Paqësorit të organizuar në Alaskë.

Intervistë e Profesorit Dhori Kule për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kule, para se të kalojmë tek gjendja ekonomike në Shqipëri, cili ishte synimi i pjesëmarrjes tuaj në konferencën e vendeve të Paqesorit në Alaskë?

Prof. Dhori Kule: Konferenca Pan Pacifike që u zhvillua në Ankorage të Alaskës nga data 25 deri 29 maj, ishte një konferencë, që do ta konsideroja të rëndësishme për subjektin e diskutimit që u bë në të. Ne u paraqitëm me një ekip të profesorëve të universitetit të ekonomisë. Problemet kryesore në konferencë ishin kryesisht ato të lidhjes midis zhvillimeve ekonomike të vendeve përkatëse të Paqësorit ku edhe Shqipëria, ose më mirë fakulteti ynë, është bërë anëtar i kësaj shoqate dhe shkollave të biznesit. Në këtë kuadër, në kuadër të bashkëpunimit që kemi me universitetet amerikane, një përvojë dhe një ndihmë 12 vjeçare bashkëpunimi, ku kemi fokusuar dhe kemi bërë kurikulën e fakultetit të ekonomisë, në linjën e edukimit amerikan, kjo konferencë na shërbeu, që në kuadër të rakordimeve, diskutimeve dhe takimeve që patëm, sidomos me drejtues universitetesh, për të mbajtur të gjallë bashkëpunimin dhe ndihmën reciproke, që do të kemi nga universitetet amerikane.

Zëri i Amerikës: Zoti Kule, një nga problemet më të mëdha që lidhen me ekonominë në Shqipëri, është kriminalizimi i saj, madje sipas disa ekspertëve, politika sot në Shqipëri po e humbet deri diku pavaresinë për shkak të ndikimit të fuqishëm të interesave ekonomike. Sa shqetesuese është kjo gjendje për ju?

Prof. Dhori Kule: Situata ekonomike dhe këndvështrimi nga i cili ju e bëtë pyetjen, është i rëndësishëm dhe mund të konkludohet dhe verifikohet nga një pozicion që Komisioni Evropian, paraqiti për zhvillimet ekonomike dhe për zhvillimet në përgjithësi në Shqipëri, në mars të këtij viti. Aty bëhet një analizë e situatës ekonomike, ku një studiues, ose një specialist, nxjerr njëkohësisht edhe konkluzionet se çfarë reflekton ekonomia shqiptare. Krahas anës rozë, që ka zhvillimi ekonomik, që reflektohet tek mbajtja nën kontroll e inflacionit dhe ritmet e rritjes së GDP-së, (prodhimi i përgjithshëm kombëtar), raporti pasqyron edhe atë, që është tepër shqetësuese për Shqipërinë, ato sëmundje të rënda që ka organizmi ekonomik shqiptar, pasqyruar tek niveli i lartë i papunësisë, 16 përqind sipas shifrave zyrtare dhe 38 përqind sipas ILO-s, Organizata Botërore e Punës, problemet e deficitit tregëtar, që me një raport eksporti 5 me 1, tregon që ekonomia shqiptare është një ekonomi pasive. Ekonomia shqiptare, sikurse vërehet edhe në vende të tjera në tranzicion, është me një rrezikshmëri pasqyruar tashmë dhe të bërë realitet, të inkludimit të politikës direkt dhe indirekt në sipërmarrje biznesi, e cila i krijon njëkohësisht deformim dhe vështirësi zhvillimit normal dhe real të biznesit për të përballuar atë detyrim që ka për progresin ekonomik. Shifrat tregojnë që pjesa gri e ekonomisë është më shqetësuese se sa treguesit pozitivë rozë dhe kryesisht ai i inflacionit, që për mendimin tim, nuk është më i vështiri dhe më i rëndësishmi për t’u mbajtur nën kontroll dhe nën kujdes. Prioritet duhet të kenë këto tregues që pasqyrojnë realisht situatën ekonomike të shtresave dhe grupeve të ndryshme të popullsisë në Shqipëri, që është jashtëzakonisht shqetësuese. Parë nga ky këndvështrim, kjo kërkon një riorientim të politikave ekonomike në Shqipëri, që të zgjidhen ato probleme që janë prioritete dhe shqetësime reale të situatës ekonomike.

Zëri i Amerikës: Zoti Kule, një problem tjetër me të cilin ekonomia në Shqipëri do të ndeshet, ose ka filluar të ndeshet, është ligji që parlamenti po diskuton aktualisht për kompensimin e ish pronarëve si dhe kërkesa që kanë shtruar ish të përndjekurit politikë për t’u kompensuar për vitet e dënimit. Sa do të ndikojnë këto dy fenomene për ekonominë në Shqipëri? A do tjetë e aftë ekonomia t’i përballojë këto dy ngarkesa të reja?

Prof. Dhori Kule: Këto janë dy probleme të mëdha dhe sfida që domosdoshmërisht duhen përballuar nga shoqëria shqiptare. Dua të filloj nga e dyta, nga problemi i kompensimit të ish të persekutuarve politikë. Kjo është një shtresë e cila, sikur miliarda dollarë të kesh mundësi t’i japësh, nuk ka faturë financiare që e kompenson këtë shtresë nga pikëpamja morale dhe ai detyrim që ka shoqëria në përgjithësi, për atë, që ata kanë pësuar në kohën e diktaturës. Megjithatë, ndaj kësaj shtrese duhet të përballohet ajo kërkesë që kanë, përsa i përket faturës financiare. Besoj se është e mundshme të zgjidhet, duke patur parasysh që të ndihen, të marrin nga shoqëria, nga shteti si përfaqësues i kësaj shoqërie, mesazhin që e vlerëson këtë shtresë të popullsisë, e cila nën regjimin komunist është persekutuar maksimalisht. Problemi tjetër është ai i pronave. Më tepër se sa faktin, në se do ta përballojë apo jo ekonomia shqiptare në perspektivën e saj zgjidhjen e këtyre problemeve, unë do të konsideroja dhe gjykoja si specialist ekonomie, se zgjidhja e këtyre problemeve, do t’i japë një hop zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Problemet e pronësisë të pazgjidhura, gjithmonë e ngurtësojnë, e frenojnë dhe nuk lejojnë zhvillimin progresiv të ekonomisë shqiptare. Pra domosdoshmërisht duhet zgjidhur. E nevojshme është që të zgjidhet duke lënë sa më pak pengesa dhe elementë të pazgjidhur për perspektivën dhe duke shkuar, si të thuash, realisht prona, tek ai që i takon, me sa më shumë elementë të kompensimeve fizike, për të mos krijuar detyrime të kompensimeve financiare, monetare, që do t’i paguajë tërë shoqëria. Është e domosdshme që me përgjegjësinë politike që i takon, politikanët shqiptarë t’i zgjidhin të dyja këto probleme.

XS
SM
MD
LG