Lidhje

Shqipëri: palët në prag të marrëveshjes për reformën zgjedhore - 2004-06-02


Partia Socialiste dhe partia Demokratike pritet të krijojnë sërish një komision të përbashkët për reformën zgjedhore. Të dy palët janë në prag të arritjes së një marrëveshjeje e cila parashikohet të ketë si bazë rekomandimet e bëra nga Odihr dhe Komisioni I Venecias. Edhe per zgjedhjet e kaluara te dyja palët arritën konsensusin, por cështja e zgjedhjes së një anëtari të Komisionit qëndror të zgjedhjeve e tronditi atë.

Osbe-ja do të luajë sërish rolin e ndërmjetësit dhe ndihmësit për reformën zgjedhore. Ashtu si dhe për Kodin aktual, sërish ndryshimet do të vendosen nga dy partitë më të mëdha Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Formula do të jetë e njejtë. Aktualisht të dyja palët kanë arritur mirëkuptimin për tekstin e marrëveshjes bazë mbi të cilën ata do të punojnë për të bërë përmirësimet. Në thelb të dyja partitë pritet të kenë si platformë rekomandimet e paraqitura muajin e kaluar nga ekspertë të Osbe-së dhe Komisionit të Venecias të cilët punuan pas konstatimit të problemeve që u vunë re në zgjedhjet për pushtetin vendor.

Megjithatë kanë mbetur ende disa pika që nuk po lejojnë mbylljen e marrëveshjes dypalëshe. Si socialistët ashtu dhe demokratët kanë rënë dakort që të mos shprehen publikisht rreth cështjeve problematike që kanë të bëjnë si me aspekte ligjore deri dhe me ato protokollare mbi përfaqësuesit që do firmosin tekstin, i cili normalisht do të merrte më shumë vlera nëse zyrtarisht për të, do të angazhoheshin dy kryetarët e partive, zoti Nano dhe zoti Berisha.

Të dyja partitë duhet të përballojnë një sërë aspektesh në përmirësimin e Kodit ku natyrisht më shqetësuesit janë cështja e listës së votuesve si dhe ajo e përbërjes së komisioneve zgjedhore. Edhe në rekomandimet e Odihr-it dhe komisionit të Venecias theksohet se një shqetësim madhor përbëjnë dispozitat që rregullojnë formimin e komisioneve zgjedhore dhe vendosja e kërkesave për votim me shumicë çështje të rëndësishme. Sic dihet zotërimi i komisioneve u nda mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike. Por kjo gjendje sipas konstatimeve të ekspertëve ndërkombëtarë u siguroi të dy partive mundësinë për të bllokuar vendimmarrjen.

Një pikë tjetër e vështirë mund të jetë cështja e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për të cilin siç dihet demokratët këmbëngulin që të jetë i balancuar politikisht.

Por pavarësisht këtyre aspekteve, ashtu siç theksohet edhe në tekstin e rekomandimeve, shkalla në të cilën cdo amendim në ligj mund të ketë ndikim pozitiv do të përcaktohet përfundimisht nga niveli i mirëbesimit dhe i vullnetit politik të shfaqur nga partitë, institucionet shtetërore dhe zyrtarët përgjegjës për zbatimin dhe respektimin e ligjit.

XS
SM
MD
LG