Lidhje

Krijuesit e lojrave elektronike diskutojnë për këtë treg në rritje - 2004-06-03


Lojrat elektronike tashmë janë pjesë e një industrie shumë-miliardë-dollarëshe dhe analistët thonë se me shtimin e përdorimit të kompjuterave rritet edhe biznesi i lojrave. Korrespondenti Mike O’Sullivan, njofton se mijëra krijues të lojrave elektronike u mblodhën kohët e fundit në Los Angelos për të diskutuar mbi këtë treg që po rritet.

Kjo industri grumbullon 12 miliardë dollarë në vit, shumica nga lojrat elektronike; pjesa tjetër nga lojrat që luhen përmes kompjuterave.

Ekspozita vjetore e Argëtimeve Elektronike është veprimtaria ku Andy Megowan i firmës Sandlot Games mund të vëzhgojë tregun dhe konkurrencën.

“Shumica e lojrave që shihni, janë bazuar tek nocioni i forcës fizike, muskujve, i armëve, aksioni, gjaku, thika apo kërcënimet”.

Presidenti i Sandlot Games, Daniel Bernstein, thotë se konsumatorët e firmës së tij nuk preferojnë lojrat me aksion intensiv. Ai krijon lojra për mosha më të pjekura, veçanërisht për femra, që preferojnë variante më të zbutura.

Tradewinds, për shembull, është një lojë që angazhon fantazinë dhe ndërthur luftën dhe tregëtinë në Orientin e dikurshëm. Personazheve u duhet të kapërcejnë pengesa për të grumbulluar një flotë të madhe.

Lojrat e kësaj kompanie shiten përmes internetit. Zoti Bernstein thotë se synimi i tij është t’i bëjë klientët ta pëlqejnë lojën.

“Ta pëlqejnë lojën deri në atë masë sa të mos e përballojnë ngasjen për të përdorur kartën e kreditit dhe paguar përmes internetit e pastaj në fund të këtij transaksioni ta marrin lojën nga interneti në kompjuterin e tyre.”

Sandlot Games është firmë e vogël në këtë treg. Sony Online Entertainment është kompani e madhe dhe prodhon lojra ku mund të marrin pjesë nga 50 deri në 200 vetë. John Blakely i Sony Online Entertainment:

“Kemi krijuar një botë reale ku njerëzit mund të bashkëveprojnë pasi lidhen me serverin. Ata mund të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes tekstit dhe shenjave elektronike për përshëndetje.”

Në ekspozitë ka lojra me temë ushtarake dhe të tjera me temë fantastike me magjistarë e dragonj.

Andy Megowan dhe Daniel Bernstein thonë se shumica e këtyre lojrave tërheqin të rinjtë dhe janë krijuar nga projektues të rinj.

Disa prindër shqetësohen se lojrat të tilla janë humbje kohe dhe i shpërqendrojnë nxënësit nga detyrat e shkollës. Por Raph Koster i Sony Online thotë se shumë lojra moderne kanë vlera njohëse dhe janë ushtrim i mirë për trurin.

“Ka mënyra të ndryshme për të zgjidhur probleme. Disa prej tyre kanë të bëjnë me zgjidhje problemesh mendore.”

Ai thotë se lojra të tjera kanë të bëjnë me zhdërvjellësinë e duarve dhe shton se të gjitha janë zbavitëse. Shifrat tregojnë se mosha mesatare e të apasionuarve pas lojrave po rritet dhe tani është 28 vjeç, ndërkohë që po shtohet edhe numri i femrave që angazhohen në lojra të tilla. //kk//

XS
SM
MD
LG