Lidhje

Zgjedhjet serbe dhe integrimi i komunitetit serb në Kosovë - 2004-06-04


Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë nuk do të mbështesë por as nuk do të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë. Këto komente u bënë pak ditë para këtyre zgjedhjeve, kur janë shtuar veprimtaritë në kuadër të fushatës parazgjedhore të partive politike serbe.

Partia Radikale e Serbisë, që drejtohet nga ultranacionalisti, Vojislav Sheshel, aktualisht i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, ka paralajmëruar për nesër në pjesën veriore të Mitrovicës një tubim parazgjedhor, ku sipas organizatorëve, do të mund të marrë pjesë edhe Tomislav Nikoliq, kandidat i kësaj partie. Zëdhënësja e policisë së Kombeve të Bashkuara në këtë qytet, Tracy Becker, tha se politika e deritashme e UNMIK-ut ishte që të mos lejohen kandidatët presidencial të mbajnë tubime në Kosovë. “Nuk ka asnjë arsye që një politikë e tillë të ndryshohet. Tubimi i radikalëve pa këta kandidatë mund të mbahet dhe policia nuk do të pengojë debatet e hapura e demokratike, por do të jetë aty për të penguar cdo përpjekje për të nxitur ndonjë përplasje ndëretnike”, tha zonja Becker.

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, është kundërshtuar në vazhdimësi nga institucionet dhe partitë politike shqiptare. Ato u kanë bërë thirrje pjestarëve të komunitetit serb që të punojnë brenda institucioneve për të zgjidhur problemet e tyre. Pas trazirave të dhunshme të majit mars, janë hapur debate të reja lidhur me rrugët e integrimit të komuniteteve, posacërisht atij serb dhe kthimin e udhëheqësve të tyre politik në institucionet që ta po i bojkotojnë.

Qeveria e Kosovës tashmë ka filluar një seri takimesh në përpjekjet për të vendosur dialogun e brendshëm. Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaci ka hedhur idenë që kjo cështje të rregullohet sipas modelit të marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë. I përballur me mospajtimin e partive tjera politike, zoti Thaci në një tribunë me studentët e Universitetit të Prishtinës tha sot se me zbatimin e disa elemenetve të kësaj marrëveshjeje do të përfitonin institucionet, qytetarët por edhe angazhimet e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë, sepse do të respektoheshin parimet themelore të demokracive të zhvilluara. “Ky është përcaktim për bërjen e shtetit të Kosovës, për ngadhnjimin e demokracisë qytetare, për respektimin e kritereve të domosdoshme demokratike në vend, për hapjen e perspektivës për mirëqenie sociale e zhvillim ekonomik për bashkëpunim më fqinjët, për integrimin e Kosovës në strukturat europiane…”, theksoi zoti Thaci.

Sidoqoftë, cështja e integrimit të pakicave kombëtare, posacërisht komunitetit serb, vazhdon të mbetet një nga problemet më të mprehta dhe më të diksutueshme në Kosovë. Liria e lëvizjes, kthimi dhe siguria për komunitetet përbëjnë edhe thelbin e standardeve për Kosovën të cilat duhet të përmbushen para fillimit të debateve për zgjidhjen e statusit politik të saj.

XS
SM
MD
LG