Lidhje

Afganistani mban në shtator zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale - 2004-06-05


Në shtator, në Afganistan do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale. Ekipe të Kombeve të Bashkuara dhe afgane do të regjistrojnë votuesit në 4 mijë e 500 qendra të ndryshme në mbarë vendin por siguria në këtë vend vazhdon të jetë shqetësuese.

Dy milionë e 800 mijë votues afganë, nga 7 deri 9 milionë votues me të drejtë vote tanimë janë regjistruar. Mbeturinat e ish- regjimit taleban dhe aleatët e tyre terroristë po përpiqen ta pengojnë procesin e regjistrimit të votuesve. Kohët e fundit, dy punonjës britanikë të regjistrimit të votuesve dhe përkthyesit e tyre u vranë në krahinën Nuristan ndërsa po regjistronin votuesit.

William Taylor, bashkërendues i Shteteve të Bashkuara për Afganistanin, thotë se një polici e përbërë nga afganët do të mbajë përgjegjësinë kryesore për garantimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve.

“Shtetet e Bashkuara po ndihmojnë gjermanët, të cilët janë në krye të përpjekjeve për stërvitjen e policisë afgane dhe ne shpresojmë që deri në verë të kemi 20 mijë policë të stërvitur afganë,” thotë ai.

Edhe ushtria e re kombëtare e Afganistanit do të jetë në dispozicion për të ndihmuar në ruajtjen e sigurisë gjatë zgjedhjeve. Mbeturinat Talebane dhe terroristë të tjerë po mundohen ta pengojnë zhvillimin e zgjedhjeve të lira në këtë vend. Presidenti Bush tha se ata nuk do t’ia arrijnë këtij qëllimi.

“Njoftimet nga Afganistani janë shumë inkurajuese. Njerëzit që kanë qenë atje vitin e kaluar dhe kanë shkuar përsëri këtë vit thonë se shohin një atmosferë tjetër. Dhe gratë nuk frikësohen më për të ardhmen e tyre, përkundrazi mendojnë se ne do t’i mbështesim ata dhe do të ndihmojmë në lindjen e një shoqërie të lirë.”

Zgjedhjet e ardhshme në Afganistan janë vetëm fillimi. Qëllimi afatgjatë i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkura është krijimi i një Afganistani që është i aftë të mbrojë sigurine e vet. Presidenti Bush tha se një Afganistan i lirë dhe paqësor është shumë i rëndësishëm për përhapjen e demokracisë në rajon.

//ze//

XS
SM
MD
LG