Lidhje

Presidenti Bush takon homologun francez, Zhak Shirak - 2004-06-05


Presidenti Bush dhe homologu i tij francez, Zhak Shirak, filluan bisedimet në Paris në prag të ceremonive të nesërme me rastin e 60 vjetorit të zbarkimit të forcave aleate në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Pritet që në rendin e ditës së takimit në Pallatin Shën Elize të përfshihen diskutimet rreth një projektrezolute të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi Irakun.

Po sot në Romë, Presidenti Bush i bëri sot thirrje brezit të ri të evropianëve dhe amerikanëve të bashkohen në përpjekjet për të ndihmuar në kthimin e demokracisë në Irak.

Gjatë një fjalimi pas bisedimeve me kryeministrin italian, Silvio Berluskoni, presidenti amerikan e cilësoi luftën kundër terrorit si sfidën e ditës.

Zoti Berluskoni, një përkrahës i vendosur i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, bëri thirrje për miratimin e shpejtë të një rezolute të OKB-së që kërkon bashkëpunimin ndërkombëtar në procesin e rindërtimit të atij vendi të shkatërruar nga lufta.

Presidenti Bush thotë se është i bindur që Këshilli i Sigurimit do ta miratojë rezolutën javën tjetër.

Italia ka dërguar afro 3 mijë trupa në Irak, kontingjenti i tretë për nga madhësia në kuadër të forcës së koalicionit.

Presidenti Bush tha se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara do të qendrojë në Irak edhe pas kalimit të sovranitetit në duart e një qeverie të përkohshme më 30 qershor, për të ndihmuar në rivendosjen e sigurisë, në mënyrë që popullit irakian t’i jepet mundësia të jetojë i lirë nga çdo frikë dhe të krijohen kushtet për rrënjosjen e demokracisë.

Presidenti Bush po vazhdon vizitën tri ditëshe në Evropë për të shënuar ngjarjet vendimtare të 60 vjetëve të kaluara gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfshirë zbarkimin e forcave aleate në Normandi dhe çlirimin e Romës nga pushtimi nazist.

//rd//

XS
SM
MD
LG