Lidhje

Bush: vdekja e ish presidentit Reagan, një ditë e trishtueshme për Amerikën - 2004-06-06


Presidenti Bush tha se vdekja e ish presidentit Ronald Reagan shënonm një ditë të trishtueshme për Amerikën.

Presidenti Bush tha dje në Paris se zoti Reagan, siç u shpreh ai, “la pas një vend që ai ringjalli dhe një botë, të cilën ndihmoi ta shpëtonte.” Zoti Bush tha se ish presidenti Reagan fitoi respektin e vendit me madhështinë e tij.

Ai shtoi se presidenti Reagan kishte besimin që vjen nga bindja dhe humorin që vjen nga mënçuria.

Presidenti francez, Zhak Shirak, mikpritës i presidentit Bush në Paris, e cilësoi zotin Reagan “një burrë të madh shteti.”

Mbretëresha Elizabeth e Britanisë tha se ishte trishtuar nga vdekja e zotit Reagan.

Ish-kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, e cila ishte aleate e ngushtë e presidentit Reagan, tha se humbja e ish-presidentit do të ndjehej. Duke folur për shoqatën britanike të shtypit, zonja Thatcher e cilësoi presidentin e 40-të të Shteteve të Bashkuara “një hero me të vërtet i madh amerikan.”

Ish-presidenti amerikan, Ronald Reagan, të cilit i njihet merita se ndihmoi në përfundimin e luftës së ftohtë, vdiq në shtëpinë e tij në Los Angeles të Kalifornisë.

Ai ishte 93 vjet dhe kishte vuajtur nga sëmundja e Alcajmerit për një kohë të gjatë. Ish aktor dhe ish guvernator i Kalifornisë, presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara u zgjodh president në vitin 1981. Ai shërbeu për dy mandate deri në vitin 1989.

Zoti Reagan konsideroi misionin e tij më të madh mposhtjen e Bashkimit Sovjetik, vend që e quajti “perandoria e së keqes” dhe për këtë qëllim modernizoi dhe shtoi radhët e ushtrisë. Përkrahësit e tij vinin në dukje aftësitë e zotit Reagan për të folur rreth optimizmit, patriotizmit dhe vlerave të popullit amerikan.

Trupi i ish presidentit Reagan do të vendoset në shenjë nderimi në godinën kryesore të kongresit amerikan këtu në Washington para se të varroset në bibliotekën e tij në Simi Valley të Kalifornisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG