Lidhje

Zbulime pozitive për kurimin e dëmtimeve të shtyllës kurrizore - 2004-06-06


Shkencëtarët në Miami të shtetit Florida kanë zhvilluar një mjekim të ri që ka treguar në provat laboratorike se minjtë me dëmtime të shtyllës kurrizore kanë rifituar aftësinë për të ecur përsëri. Korrespondenti Jim Teeple njofton se mjekimi mund të ndihmojë një ditë edhe njerëzit me dëmtime të shtyllës kurrizore:

Studiuesit në Projektin e Miamit për Shërimin e Paralizave, një qendër kërkimore për kurimin e dëmtimeve të shtyllës kurrizore, pjesë e Departametit të Mjeksisë të Universitetit të Miamit, thonë se këto janë rezultatet më pozitive që kanë marrë gjatë një periudhe 15 vjeçare studimore.

Terapia është përdorur në minj që kanë pësuar dëmtime në mes të shtyllës kurrizore, nga e cila shpesh njerëzit pësojnë paraplegji.

Fillimisht ilaçi rolipram, i cili më parë është përdorur kundër depresionit, injektohet në pjesën e dëmtuar të shtyllës kurrizore. Më pas në atë vend injektohen 2 milion qeliza Schwann, të cilat formojnë një mburojë mbi nervat periferike. Së fundi, në pjesën e dëmtuar të shtyllës injektohet edhe doza qelizash të quajtura Cyclic Adenosine Monophosphate, të cilat janë një lloj sinjalizuesi që nxisin qelizat nervore për t’u riprodhuar në atë pjesë të dëmtuar të shtyllës.

Mjekimi nxit riprodhimin e aksonit ose të nervave, gjë që ishte pezulluar pas dëmtimit të shtyllës.

Në provat laboratorike, minjtë rifituan 70 për qind të aftësisë për të përdorur këmbët e pasme. Gjithashtu provat treguan se kafshët kishin përmirësuar kontrollin e lëvizjeve motorike të gjymtyrëve.

Shkencëtari Damien Pearse thotë se rezultatet përbëjnë arritje në një numër drejtimesh të kërkimeve për shtyllën kurrizore. Ai shton se hapi tjetër është të shqyrtohet mundësia e replikimit të këtij eksperimenti në një laborator të pavarur për të parë efektin e mjekimit në dëmtime kronike. Mjekimi u provua në rastet e dëmtimeve të reja të shtyllës kurrizore, dhe nuk ka ende të dhëna nëse do të japë rezultat nëse përdoret në pacientë që kanë pësuar këto dëmtime prej kohësh. Deri tani nuk janë bërë prova me njerëz, por Dr. Pearse thotë se së shpejti mund të fillojë përdorimi i ilaçit rolipram tek njerëzit:

“Disa aspekte të kësaj terapie mund të vihen në praktikë më shpejt se aspektet e tjera. Rolipram tregoi në këtë eksperiment aftësi mbrojtëse pas dëmtimit të shtyllës kurrizore, dhe është përdorur edhe në mjekimin e problemeve të tjera”.

Në mbarë botën ka miliona vetë që kanë pësuar dëmtime të shtyllës kurrizore. Mark Buoniconti pësoi një aksident kur po luante basketboll në universitet në vitin 1985 dhe që atëherë ka qenë i paralizuar. Ai thotë se rezultatet e studimit i kanë dhënë shpresa për një jetë më të mirë.

“Rritja e aftësisë së përdorimit të gjymtyrëve ishte dramatike. Ka pasur edhe përpara rritje të qelizave dhe nervave, por një rritje në masën 500 për qind është një hap gjigant. Jam i gëzuar nga ky lajm dhe mendoj se studimi do të ndihmojë shumë njerëz”.

Zoti Buoniconti nuk shpreson se një ditë do të bëhet përsëri atlet siç ka qenë në rini, por uron që të jetë në gjendje të lëvizë në një farë mase gjymtyrët për të bërë një jetë më të pavarur. Mark Buoniconti thotë se rezultatet e studimit i kanë dhënë atij dhe viktimave të tjera të dëmtimit të shtyllës kurrizore shpresë për një të ardhme të tillë. //kk//

XS
SM
MD
LG