Lidhje

Amerika dhe bota kujtojnë ish-Presidentin Reagan - 2004-06-06


Personalitete të shquara dhe njerëz të thjeshtë po kujtojnë ish presidentin amerikan, Ronald Reagan, si një njeri me përzemërsi të pazakontë personale që ndryshoi kursin e zhvillimeve botërore.

Presidenti francez, Zhak Shirak, tha se presidenti i 40-të amerikan ka lënë një gjurmë të thellë në histori për shkak të angazhimit të tij të patundur ndaj demokracisë. Ish kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, tha se atij i takojnë merita më të mëdha se çdo udhëheqësi tjetër për fitoren në Luftën e Ftohtë pa përdorimin e forcës.

Në gjithë Shtetet e Bashkuara, flamurët u ulën në gjysmë shtizë dhe stadiumet sportive i përfshiu një heshtje e plotë në shenjë nderimi për ish presidentin.

Një roje në Kaliforni tha se shumë amerikan e shikonin zotin Reagan si një gjysh kombëtar. Kurse një punonjës i doganave në Rumani tha: është merita e ish- Presidentit Reagan që ne jemi sot të lirë.

Politikanët amerikanë shprehin mirënjohjen ndaj ish-presidentit Reagan

Politikanë amerikanë nga të dy partitë kryesore politike thonë se do ta kujtojnë presidentin Regan me dashuri.

Kandidati presidencial i partisë demokrate John Kerry e quajti dashurinë e ish presidentit republikan për vendin të pashembullt dhe tha se edhe kur presidenti Regan u thyente zemrat demokratëve, ai e bënte këtë me buzëqeshje dhe me shpirtin e debatit të sinqertë.

Ish presidenti George Bush, i cili shërbeu si nën president i zotit Regan, e quajti atë një njeri të çmueshëm dhe të sinqertë dhe tha se ai dhe i biri i tij, presidenti aktual, kanë mësuar shumë nga ai.

Trashëgimia e ish-Presidentit Reagan

Gjatë tetë vjetëve në Shtëpinë e Bardhë, ish-presidenti Ronald Reagan kontribuoi në ndryshimet dramatike dhe afatgjata si në politikën amerikane, ashtu edhe në hartën politike të Evropës.

Brenda vendit, programi konservator i zotit Reagan dhe popullariteti si individ e bënë Partinë Republikane të aftë që të konkurronte në këtë drejtim me atë demokrate. Pas luftës së Vietnamit, zgjedhësit amerikanë e pranuan programin e zotit Reagan për një ushtri më të fortë dhe u pëlqeu optimizmi i tij i hapur për të ardhmen e Amerikës. Jashtë vendit

Zoti Reagan do të kujtohet kryesisht për kundërshtimin e tij të fortë ndaj komunizmit. Shumë evropianë i njohin atij meritën për përshpejtimin e shëmbjes së Bashkimit Sovjetit dhe shteteve të tij satelite që filloi menjëherë pasi zoti Reagan përfundoi mandatin e tij të dytë në vitin 1989.

XS
SM
MD
LG