Lidhje

Terroristët në Irak nuk do të triumfojnë - 2004-06-07


Më 30 qershor, një qeveri e përkohshme do të marrë sovranitetin në Irak dhe do të drejtojë ministritë dhe funksionet e shtetit irakian. Por ende ka një numër sfidash, ndërkohë që vazhdojnë sulmet kundër koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe civilëve irakianë.

Një ndër viktimat e fundit ishte 13-vjeçari Ali Abas Muhamad. Aliu shiste cigare dhe pije freskuese në një dyqan të vogël pranë një hoteli në Bagdat. Para disa ditësh shpërthimi i një makine bombë pranë dyqanit, i kushtoi jetën të riut 13-vjeçar. “Ai ishte i pafajshëm. Gjaku i tij njollos duart e autorëve të këtij krimi,” tha Matham Sami, një punonjës në hotel. “Ne shpëtuam nga Sadam Huseini, por tani kanë dalë në skenë terroristët.”

Presidenti George Bush tha se terroristët, si ata që vranë Ali Abas Muhamadin, nuk do të triumfojnë:

“Vrasësit e kanë të qartë se Iraku është fronti qendror i luftës kundër terrorizmit. Kthimi i tiranisë në Irak do t’u jepte zemër terroristëve, dhe do të rriste numrin e shpërthimeve, ekzekutimeve dhe vrasjeve të njerëzve të pafajshëm në mbarë botën,” tha presidenti.

Zoti Bush shtoi se koalicioni nuk do të sprapset nga dhuna dhe terrori:

“Dhuna thekson se lirisë në Irak i kundërvihen njerëz që dëshirojnë jo vetëm dështimin e qeverisë së përkohshme, por të të gjithë përparimit drejt lirisë. Ne do të qëndrojmë përkrah popullit irakian për mundjen e armiqve të lirisë dhe të atyre që kundërshtojnë demokracinë në Irak,” tha presidenti.

Vullneti i irakianëve dhe i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara është i patundur. Siç tha babai i viktimës së terrorizmit Ali Abas Muhamad, “Ne jemi myslimanë dhe Zoti do të na japë të drejtat tona.”

XS
SM
MD
LG