Lidhje

Gjithë bota kujton ish presidentin amerikan, Ronald Reagan - 2004-06-07


Njerzit në gjithë botën po kujtojnë ish presidentin amerikan, Ronald Reagan, një njeri i njohur si për ngrohtësinë e tij personale ashtu edhe për ndryshimin e kursit të zhvillimeve botërore.

Presidenti francez, Zhak Shirak, tha se presidenti i 40-të amerikan ka lënë një gjurmë të thellë në histori për shkak të angazhimit të tij të patundur ndaj demokracisë. Ish kancelari gjerman, Helmut Kohl tha se mbështetja e tij për lirinë ishte një faktor vendimtar për kapërcimin e ndarjes së Evropës dhe të vetë Gjermanisë.

Mikeshja e ngushtë dhe ish kryeministrja britanike, Margaret Thatcher, tha se atij i takojnë merita më të mëdha se çdo udhëheqësi tjetër për fitoren në Luftën e Ftohtë pa përdorimin e forcës. Ish-presidenti sovjetik, Mihail Gorbaçov, e cilësoi zotin Reagan “një president të madh.”

Një zëdhënës i Papës Gjon Palit të Dytë, një kundërshtar tjetër i vendosur i komunizmit, tha se Shënjtëria e tij e priti lajmin e vdekjes së zotit Reagan me pikëllim të thellë.

Në gjithë Shtetet e Bashkuara, flamurët u ulën në gjysmë shtizë dhe stadiumet sportive i përfshiu një heshtje e plotë në shenjë nderimi për ish presidentin.

Në moshën 69 vjeçare, zoti Reagan ishte personi më i moshuar që u bë president kur ai u zgjodh në vitin 1980, duke i shkaktuar disfatë presidentit të athershëm, Jimmy Carter.

Gjatë tetë vjetëve në Shtëpinë e Bardhë, ish-presidenti Ronald Reagan u bë i njohur për nxitjen e besimit të amerikanëve në vetvete. Në arenën ndërkombëtare, politika e tij e jashtme ndihmoi në ndryshimin e hartës politike të Evropës.

Brenda vendit, programi i zotit Reagan përfshinte përforcimin e ushtrisë amerikane dhe një fushatë për uljen e taksave, ndërkohë që shpenzimet qeveritare ishin të larta, duke rezultuar në deficite të mëdha të buxhetit federal.

Zoti Reagan do të kujtohet kryesisht për politikën e tij të jashtme, e veçanërisht për kundërshtimin e tij të fortë ndaj komunizmit dhe kritikat e tij ndaj Bashkimit Sovjetik për sa i përket shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe dështimet ekonomike.

Shumë evropianë i njohin atij meritën për përshpejtimin e shëmbjes së Bashkimit Sovjetit dhe shteteve të tij satelite që filloi menjëherë pasi zoti Reagan përfundoi mandatin e tij të dytë në vitin 1989.

Por para asaj kohe, zoti Reagan dhe udhëheqësi sovjetik, Mihail Gorbaçov kishin arritur traktatin e parë amerikano-sovjetik për të pakësuar arsenalet e armëve bërthamore të të dy vendeve.

//ze//

XS
SM
MD
LG