Lidhje

Projekt-rezoluta e OKB-së për sovranitetin e Irakut, pritet të miratohet së shpejti - 2004-06-07


Këshilltarja amerikane për Sigurinë Kombëtare, Condoleezza Rice thotë se rezoluta e Kombeve të Bashkuara në mbështetje të dorëzimit të sovranitetit në Irak mund të miratohet brenda pak ditësh.

Ndërkohë, kryeministri i sapoemëruar i Irakut thotë se nëntë grupe milicësh kanë rënë dakord të shpërndahen në kuadër të përpjekjeve për të frenuar dhunën e kryengritësve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Laurie Kassman sjell një përmbledhje të zhvillimeve të ditës nga Washingtoni.

Këshilltarja për Sigurinë Kombëtare Kondoleezza Rice duket optimiste se projekt-rezoluta e Kombeve të Bashkuara për Irakun do të miratohet shpejt pas riformulimit në bazë të diskutimeve intensive të Këshillit të Sigurimit, gjatë fundjavës.

“Mendoj se mund të thuhet se atmosfera e diskutimeve është shumë pozitive, që po punohet intensivisht dhe fryma e përgjithshme është se po shkohet në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt mund të arrijmë një marrëveshje”, tha zonja Rice.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë debatuar lidhur me mënyrën se si do të përcaktohen marrëdhëniet mes forcave të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe administratës kalimtare të Irakut dhe se kush do t’i ketë nën kontroll operacionet.

Zonja Rice thotë se kuadri përcaktohet në bazë të një shkëmbimi letrash mes forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara dhe qeverisë kalimtare të Irakut.

“Shkëmbimi i letrave me irakianët pa dyshim që tregon se koalicioni shumëkombësh me komandant amerikan dhe qeveria irakiane e kanë të qartë se si do të vazhdohet. Dhe ne besojmë se ky mirëkuptim duhet t’i qetësojë të gjithë duke e bërë të qartë se irakianët do të kenë sovranitet të plotë, se irakianët do të kenë nën kontroll forcat e tyre, se do të ketë mekanizma për bashkërendim dhe konsultime, si edhe për diskutime politikash për operacione të rëndësishme ofensive”.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara thotë se letra do t’i bashkangjitet rezolutës si shtojcë. Por Franca do që garanci të tilla të shtohen në rezolutë dhe jo në shtojca.

Në Bagdad, kryeministri Iyad Allawi deklaroi se nëntë forca kryesore politike kanë rënë dakord t’i shpërbëjnë grupet e veta të milicëve. Zoti Allawi thotë se ka mundësi që këta luftëtarë të bëhen pjesë e forcave shtetërore ose rajonale të rendit.

“Shpresojmë që ky proces të bëhet për t’i shërbyer qeverisë së Irakut dhe unitetit të vendit”.

Në marrëveshje nuk përfshihet milicia e klerikut shiit Moqtada al-Sadr, e cila prej dy muajsh lufton kundër forcave amerikane. Kryeministri Allawi thotë se ato grupe milicësh që nuk shpërndahen do të konsiderohen të paligjshme. //kk//

XS
SM
MD
LG