Lidhje

Biografi e ish presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara - 2004-06-10


Pasi i kaloi vitet e fëmijërisë në një familje të varfër, Ronald Reagan u bë një prej presidentëve më të dashur në historinë amerikane.

Ai lindi më 6 shkurt të vitit 1911 në qytetin Tampico të shtetit Ilinoi. Babai i tij, Jack, ishte alkoholist, i cili e transferoi familjen shpesh në kërkim të punëve me pagesë më të mirë.

Kur Reagani i ri ishte 9 vjeç, familja më në fund u vendos në qytetin Dixon të Ilinoit, qytet që zoti Reagan e konsideronte si vendlindjen e tij. Në atë qytet, zoti Reagan korri fitoren e parë si president i organizatës së nxënësve në shkollën e mesme.

Pasi u diplomua nga kolegji Eureka në vitin 1932, zoti Reagan filloi një karierë në media, së pari si komentator sporti e pastaj si aktor filmash të Hollivudit.

Ai luajti në më shumë se 50 filma. Por rolet e tij në filma morën përparësi të dytë kur zotit Reagan iu shtua interesimi në politikë. Ai zhvilloi një ndjenjë urrejtjeje kundër komunizmit. Madje konservatorët e Partisë Republikane vunë re se si njerzit i përgjigjeshin mënyrës se si zoti Reagan dënonte programet e mëdha qeveritare.

Me mbështetjen e tyre, zoti Reagan vuri kandidaturën për guvernator në vitin 1966 dhe fitoi. Katër vjet më vonë, ai fitoi mandatin e dytë.

Pas 10 vjetësh, zoti Reagan u bë presidenti më i moshuar në historinë amerikane, duke fituar mandatin e parë të dy mandateve me shumicë dërmuese votash.

Gjatë 8 vjetëve të qëndrimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Reagan ndihmoi në zbatimin e ndryshimeve dramatike dhe të qëndrueshme si në politikat amerikane ashtu edhe në hartën politike të Evropës.

Rendi i tij konservator i ditës dhe popullariteti i tij personal transformuan Partinë Republikane, duke bërë që ajo të rifitonte fuqi të barabartë me Partisë Demokrate. Votuesit amerikanë iu përgjigjën thirrjeve të tij për një ushtri më të fortë dhe për uljen e taksave, edhe në një kohë që deficiti i buxhetit federal arriti në nivelet më të larta ndonjëherë.

Nëpër botë, presidemti Reagan mbahet mënd kryesisht për qëndrimin e tij kundër komunizmit. Shumë njerëz i japin atij meritën e përshpejtimit të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Presidenti Reagan u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1989 si një figurë shumë popullore, megjithëse historianët nuk kanë ndaluar kurrë debatet lidhur me ndikimin e tij në Amerikë dhe në botë.

Zoti Reagan i kaloi vitet e fundit të jetës duke luftuar sëmundjen e Alcajmerit. Ai nuk doli më në publik, pasi shkroi për popullin amerikan një letër në vitin 1994 në të cilën deklaronte se vuante nga kjo sëmundje.

Lufta e tij me Alcajmerin mori fund të shtunën e kaluar, kur ish presidenti Reagan vdiq në moshën 93 vjeçare. Ai do të varroset nesër në të perënduar të diellit në oborin e bibliotekës së tij presidenciale në Simi Valley të Kalifornisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG