Lidhje

Ronald dhe Nensi, histori dashurie - 2004-06-10


Ronald dhe Nancy Reagan e filluan jetën e tyre si çift në Hollivud dhe kaluan nëpër 50 vjet politikë, triumfe personale dhe sëmundje të rënda.

Historia e tyre e dashurisë filloi më shumë se 50 vjet më parë, kur një aktore e re me emrin Nancy Davis pati një takim me Ronald Reaganin, kryetarin e shoqatës së aktorëve të kinemasë. Zoti Reagan e impresionoi Nancin qysh në fillim dhe të dy u martuan më 4 mars të vitit 1952.

Ata kanë dy fëmijë. Vajza e tyre Patty lindi po atë vit dhe djali Ron Jr. 6 vjet më pas.

Ata ishin një çift romantik i famshëm -- Zoti Reagan i shkruante shpesh letra dashurie. Jetonin në harmoni në fermën e tyre në Kaliforni.

Në mes të viteve 50 kariera kinematografike e zotit Reagan filloi të binte. Dhe interesi dhe pasionin i tij për politikë po bëhej më i fortë. Ai shërbeu dy mandate si guvernator i shtetit të Kalifornisë dhe më pas dy mandate presidenciale. Zonja Reagan ishte besnikja më e afërt e burrit të saj dhe disa thonë edhe këshilltarja më e afërt.

E pyetur se sa e këshillonte ajo të shoqin, Nancy Reagan ka thënë se ajo shprehte opinionet e saj kur ai e pyeste por edhe kur nuk e pyeste.

Ajo ishte përkrah tij në disa nga triumfet e tij personale, si forcimi ekonomik i Shteteve të Bashkuara dhe rrëzimi i komunizmit. Por ata kaluan edhe vështirësi personale si ftohja e përkohëshme me fëmijët e tyre dhe lufta e saj me kancerin e gjirit në fund të viteve 80-të.

Por dashuria e tyre i kapërceu të gjitha -- edhe luftën e gjatë me sëmundjen e Alzajmerit me të cilën presidenti u diagnostikua në vitin 1994. “Mësuam si edhe shumë familje të tjera dhimbjen e tmerrshme dhe vetminë që duhet të përballosh ndërsa çdo ditë të kujton lamtumirën”.

Charles Wick, ishte drejtor i agjencisë amerikane të informacionit në periudhën e Reaganit dhe ka qënë një mik i mirë i familjes që nga mesi i viteve 50-të.

“Do të thoja se ai ishte me fat që u martua me Nancyin, dhe ajo ishte shumë me fat që u martua me Reaganin. Marrëdhënia e tyre ishte shumë e veçantë me një komunikim të shkëlqyer dhe me shumë dashuri dhe respekt. Ishte si e bërë nga zoti, dhe pak martesa janë si ajo”.

XS
SM
MD
LG