Lidhje

Shtetet e Bashkuara mbështesin Shqipërinë në rrugën drejt NATO-s - 2004-06-10


Shtetet e Bashkuara konfirmuan edhe një herë tjetër bashkëpunimin e ngushtë ushtarak me Shqipërinë, për ta ndihmuar atë për anëtarësimin në NATO. I ngarkuari me punë amerikan në Shqipëri, Steven Zate, deklaroi të enjten se krahas bashkëpunimit dypalësh, të dyja vendet po bashkëpunojnë për arritjen e standarteve të Aleancës.

Zoti Zate i bëri këto komente gjatë ceremnisë zyrtare kushtuar të parit student shqiptar që pranohet në Akademinë ushtarake të SHBA në Uest Point. Ai theksoi se bashkëpunimi shqiptaro-amerikan është në nivelet më të larta në të gjitha fushat dhe vazhdon të rritet, ndërsa një nga fushat më të suksesshme është ajo ushtarake, ku forcat amerikane dhe ato shqiptare po stërviten bashkë rregullisht.

“SHBA po punojnë me Shqipërinë në modernizimin e forcave ushtarake, për ta ndihmuar që të përgatitet për anëtarësimin e saj në NATO. Shqipëria është një nga aleatët më të qëndrueshëm të SHBA në luftën globale kundër terrorizmit me trupat e saj të dërguara në Irak dhe Afganistan”, tha zoti Zate.

Ashtu si përfaqësuesi i diplomacisë amerikane në Shqipëri, edhe ministri shqiptar i mbrojtjes, Pandeli Majko, vlerësoi rezultatet e studentit shqiptar të Uest Pointit, Radion Qiriazi, si të vecanta edhe për historikun e ushtrisë.

“Shkollimi dhe formimi i oficerëve shqiptarë në një Akademi kaq të njohur si ajo e West Pointit, jo vetëm do të shërbejë në rritjen e kontigjentit të ushtarakëve tanë të arsimuar në Perëendim, por edhe do të sjellë një frymë të re bashkëkohore, që do t’i përgjigjet me sukses sfidave të kohës”, - tha zoti Majko.

Autoritetet pohojnë se Shqipëria po përpiqet të përparojë sa më shumë në përmbushjen e standarteve të Aleancës, një objektiv ky që nuk i përket vetëm forcave politike dhe shtetit shqiptar, por edhe opinionit të gjerë publik.

XS
SM
MD
LG