Lidhje

Familja dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit presidentit të 40 të Shteteve të Bashkuara, Ronald Wilson Reagan - 2004-06-12


Familja dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit presidentit të 40 të Shteteve të Bashkuara, Ronald Wilson Reagan.

Qindra njerëz u mblodhën në bibliotekën presidenciale në kodrat e Kalifornisë jugore për ceremoninë e varrimit, e cila i dha fund ceremonive një-javore për nder të presidentit Reagan.

Fëmijët e presidentit Reagan, Michael, Ron dhe Patty, e kujtuan të jatin me disa shaka nga jeta e tyre personale. Ata dhe prifti që i shërbeu presidentit për një kohë të gjatë ishin të vetmit që folën në ceremoninë e thjeshtë të varrimit.

Ndërsa dielli fshihej prapa maleve, një muzikant me gajde luante tingujt e melodisë së njohur Amazing Grace ndërsa anëtarët në uniformë të forcave të armatosura e çuan arkivolin tek varri.

Presidenti Reagan vdiç me 5 qershor në moshën 93 vjeqare, dhjetë vjet pasi i dërgoi një letër popullit amerikan, në të cilën njoftonte se vuante nga sëmundja e Alcajmerit.

Po dje më parë, në një ceremoni të përmotshme në Katedralen Kombëtare të Washingtonit, presidenti Reagan u kujtua si një udhëheqës i dhimbshëm, i cili ishte kampjon i kauzës së demokracisë dhe ndihmoi në përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Presidenti Bush vlerësoi lart zotin Reagan, duke e quajtur atë “simbol të Amerikës”. Zoti Bush shtoi se presidenti Reagan e shikoi Amerikën si shpresën e botës.

Ish presidenti George Herbert Walker Bush, i cili ishte nën-president me zotin Reagan, presidenti i 41 i Shteteve të Bashkuara dhe babai i presidentit të tanishëm, foli me emocione dhe me dashuri, ndërsa kujtoi rolin udhëheqës të presidentit Reagan. Ai mezi i mbajti lotët dhe tha se mësoi nga Ronald Regani më shumë se sa nga çdo njeri tjetër.

Në fjalimin e saj, të regjistruar në video, ish kryeministrja britanike Margaret Thaçer tha se presidenti Regan e fitoi Luftën e Ftohtë pa shkrehur asnjë armë, por duke i kthyer armiqtë në miq.

Të katër presidentët amerikanë, që janë ende gjallë, Bill Clinton, Jimmy Carter, Gerald Ford dhe George Bush, ishin të pranishëm së bashku me ish udhëheqësin sovjetik, Mihail Gorbaçov dhe dhjetra personalitete të tjera nga e gjithë bota.

//ze//

XS
SM
MD
LG