Lidhje

Katër rusë nderohen me çmimin e vitit 2004 për demokracinë - 2004-06-12


Organizata joqeveritare Fondacioni Kombëtar për Demokraci nderoi katër rusë me çmimin e vitit 2004 për demokracinë, duke nxjerrë në pah atë që shumë ekspertë e quajnë gjendje e përkeqësuar e të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Rusi.

Veprimtarja ruse e të drejtave të njeriut Yelena Bonner dhe bashkëshorti i saj, nobelisti Andrei Sakharov, bënë fushatë për demokracinë në Bashkimin Sovjetik komunist. Ajo fitoi Çmimin për Demokracinë në vitin 1995.

“Rusia nuk është demokratike sot. Ajo nuk mund të bëhet demokratike nën udhëheqjen e sotme”.

Zonja Bonner që ka vazhduar të bëjë fushatë për të drejtat e njeriut në Rusi, thotë se vendet perëndimore duhet të jenë të shqetësuara për zhvillimin e Rusisë dhe të mos bëhet pre e fjalëve të bukura, kur mungojnë veprimet konkrete që do ta çonin vendin më pranë demokracisë.

“Iluzionet nuk mund ta ndryshojnë realitetin e megjithatë pikërisht kjo po ndodh, po krijohen iluzione në marrëdhëniet me Perëndimin, ose në qëndrimin e Perëndimit drejt Rusisë”.

Zyrtarët amerikanë lënë të kuptohet se ata nuk kanë rënë në vetëkënaqësi. Në një fjalim gjatë ceremonisë së dhënies së çmimeve, ndihmëssekretari i shtetit Lorne Craner, e pranoi se Rusia ka bërë përparim, pas rënies së komunizmit.

“Dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara të punojnë me Rusinë për të garantuar vazhdimësinë e përparimit. Por kohët e fundit, ky ritëm duket se po bie dhe për të ardhur keq në disa fusha, gjendja e të drejtave të njeriut është keqësuar. Sekretari Powell dhe zyrtarë të lartë amerikanë vazhdojnë të shtrojnë me homologët rusë për çështjet e të drejtave të njeriut në Çeçeni, kufizimet ndaj shtypit të lirë që janë shtuar, faktin që zgjedhjet e dhjetorit nuk i arritën standardet ndërkombëtare, çështjet e shtetit ligjor dhe trysninë në rritje ndaj organizatave të shoqërisë civile, përfshirë ato për të drejtat e njeriut”.

Presidenti i Fondacionit Kombëtar për Demokraci Carl Gershman tha se mbi një dekadë pas rënies së komunizimit në Bashkimin Sovjetik, Rusia është tani në udhëkryq.

“Ajo mund të shkojë drejt demokracisë, përparimit ekonomik dhe shtetit ligjor, ose mund të bëjë hapa prapa drejt mbajtjes nën kontroll të shoqërisë dhe ekonomisë, kufizimeve të lirive themelore dhe thellimit të korrupsionit dhe autokracisë”.

Zoti Gershman tha se Fondacioni shpreson që të ndikojë në zhvillime të vërteta demokratike në Rusi, duke ua dhënë çmimet drejtuesve të katër organizatave, për të cilat ai thotë se ndihmojnë për të formuar boshtin e lëvizjes për demokraci në vend.

“Ludmilla Alekseeva, themeluesja e Grupit Helsinki të Moskës, që i mbijetoi përndjekjes së komunizmit dhe që sot është drejtuesja e organizatës më të rëndësishme të të drejtave të njeriut të Rusisë. Arseny Roginsky, kreu u Shoqatës Përkujtimore Ndërkombëtare që mbron refugjatët dhe viktimat e përndjekjes politike në Çeçeni dhe zona të tjera me konflikt të armatosur në Rusi dhe nderon gjithashtu miliona njerëz që humbën jetën gjatë stalinizmit. Aleksei Simonov, President i Fondacionit të Mbrojtjes Glasnost, organizata kryesore ruse për mbrojtjes e lirisë së shtypit, përgatit gazetarët për të punuar në zona lufte dhe mbron të drejtat e tyre. Dhe më në fund Mara Polyakova, drejtore e Këshillit të Pavarur për Ekspertizë ligjore ku juristët më të mirë të vendit analizojnë ligjet që kanë të bëjnë me të drejtat themelore dhe jep ndihmë ligjore në mbrojtje të këtyre të drejtave”.

Të gjithë personat e nderuar me çmime theksuan kauzën e tyre të përbashkët mes tyre dhe amerikanëve që mbrojnë demokracinë. //kk//

XS
SM
MD
LG