Lidhje

Kombet e Bashkuara përkrahin qeverinë e re irakiane - 2004-06-13


Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara miratoi njëzëri një rezolutë e cila bën thirrje për kthimin e sovranitetit të plotë popullit irakian. Rezoluta e cila u sponzorizua nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Rumania, mbështet përfundimin e pushtimit të Irakut, kthimin e sovranitetit një qeverie të përkohshme irakiane dhe fillimin e një procesi politik gjatë të cilit do të hartohet një kushtetutë të re dhe të zgjidhet një qeveri.

Rezoluta gjithashtu i jep mandat një force shumëkombeshe e cila me kërkesë të qeverisë irakiane do të jetë përgjegjëse për sigurinë. Rezoluta parashikon gjithashtu rolin e Kombeve të Bashkuara për të ndihmuar në funksionimin e qeverisë së përkohshme dhe u kërkon vendeve të tjera të ndihmojnë Irakun në kalimin nga tirania në demokraci.

John Negroponte, është ambasadori aktual i Shteteve të Bashkuara në OKB, i cili së shpejti do të bëhet ambasador në Irak. Ai thotë se ky akt i Këshillit të Sigurimit i dërgon një mesazh të qartë popullit irakian.

“Miratimi i njëzëshëm i rezolutës 1546 është një demonstrim i qartë i përkrahjës së gjërë ndërkombëtare për një Irak federal, demokratik, pluralist dhe të bashkuar, siç thuhet në rezolutë, ku do të ketë respekt të plotë për drejtat politike dhe njerëzore,” thotë ai.

Rezoluta e Kombeve të Bashkuara bën të qartë se sovraniteti i Irakut nuk vihet në dyshim dhe se qeveria e përkohshme e këtij vendi do të ketë autoritet të plotë për të kërkuar apo refuzuar ndihmë nga jashtë. Qeveria e Irakut do të ketë fjalën e fundit mbi praninë e forcës ndërkombëtare dhe udhëheqësit irakianë do të kenë kontrollin mbi forcat e tyre të sigurimit.

Presidenti Bush thotë se miratimi i rezolutës së Kombeve të Bashkuara i tregon botës se anëtarët e Këshillit të Sigurimit janë të interesuar të punojnë së bashku të sigurojnë që Iraku të jetë një vend i lirë, paqësor dhe demokratik.

”Unë mendoj se ky është një moment i rëndësishëm që të sigurohemi që qëllimet tona në Irak të realizohen. Këto vende e kuptojnë se një Irak i lirë do të shërbejë si një shtytës për ndryshime në mbarë Lindjen e Mesme, rajon ky i rëndësishëm për fitoren kundër terrorizmit. Unë pres që vendet të kontribojnë në mënyra se si e shohin të arsyeshme.”

Me 30 qershor, qeverisë së përkoshme irakiane do ti kthehet sovraniteti i plotë dhe autoriteti i koalicionit të përkohshëm do të pushojë së ekzistuari. Populli irakian ka filluar rrugën për të vendosur të ardhmen e vet. //IB

XS
SM
MD
LG