Lidhje

Colin Powell parashikon shtimin e sulmeve terroriste kundër zyrtarëve irakianë deri më 30 qershor - 2004-06-14


Sekretari amerikan i shtetit Colin Powell tha se ka të ngjarë që Iraku të përballet me një verë të gjatë, të nxehtë e të përgjakshme.

Në një sërë intervistash në televizionin amerikan, zoti Powell theksoi se periudha e tanishme është e vështirë. Ai tha për rrjetin televiziv Fox News se çdo gjë e mundur po bëhet për të mposhtur kryengritësit që kërcënojnë udhëheqësit e rinj të Irakut, por pranoi se është e vështirë që të mbrohet një qeveri e tërë.

“Udhëheqës irakianë shumë trima dhe të guximshëm kanë pranuar të vihen në pozita me përgjegjësi. Dhe këta vrasës po përpiqen t’i vrasin udhëheqësit irakianë për të dëmtuar qeverinë e re irakiane. Por ata nuk do të kenë sukses. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona.”

Edhe këshilltarja amerikane e sigurimit kombëtar, Condoleezza Rice, u pyet gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN rreth shtimit të sulmeve kundër zyrtarëve irakianë. Ajo tha se është ditur për një kohë të gjatë se javët para dhe pas transferimit të sovranitetit do të ishin të vështira.

“Këto janë ngjarrje shumë të trishtueshme kur patriotë irakianë vriten nga këta tradhëtarë dhe terroristë. Dhe në fakt, dhuna do të vazhdojë sepse këta janë njerëz që nuk kanë të ardhme në një Irak të lirë.”

Po dje më parë, një zyrtar i lartë irakian i arsimit u vra ndërsa po dilte nga shtëpia e tij në Bagdad. Të shtunën, kryengritësit vranë zëvëndës-ministrin e jashtëm të Irakut.

Presidenti i përkoshhsëm i Irakut, Ghazi al-Yawar, tha për rrjetin televiziv NBC se këto vrasje janë shumë tragjike. Ai shtoi se kryengritësit duan ta kthejnë Irakun në “ditët e errëta,” siç u shpreh ai.

Presidenti irakian tha se siguria është një çështje e rëndësishme për qeverinë e re, por shtoi ai, irakianëve do t’u duhet kohë të krijoijnë forcat e tyre të sigurimit.

“Ne jemi praktikë. Ne jemi realistë. Ne e dimë se na mungojnë forcat dhe aftësia e mjaftueshme e sigurimit për t’u mbështetur 100 përqind në forcat tona.”

Në një intervistë për rrjetin tjetër televiziv amerikan ABC, presidenti i përkohshëm irakian hodhi poshtë ofertën e presidentit Bush për të rafshuar burgun Abu Graib. Në të kaluarën në këtë burg ndodheshin dhomat e torturës nën regjimin e Sadam Huseinit. Tani Abu Graib është përsëri famkeq për abuzimin e të burgosurve irakianë nga forcat amerikane.

Presidenti Ghazi al-Yawar tha se ndërtimi i burgut kushtoi miliona dollarë, prandaj irakianët nuk mund t’i humbasin këto para për ta zëvëndësuar atë.

“Ne jemi një popull në nevojë për çdo dollar që kemi me qëllim që të ndërtojmë vendin tonë dhe jo të shkatërrojmë e të rindërtojmë.”

Kur u informua rreth komenteve të presidentit irakian, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell vuri në dukje se presidenti Bush e kishte bërë të qartë se vendimi përfundimitar mbi fatin e burgut Abu Graib do të varej nga qeveria e përkohshme e Irakut. Sekretari Powell tha se irakianët janë ata që do të vendosin në se duan ta mbajnë burgun Abu Graib.

//ze//

XS
SM
MD
LG