Lidhje

Trafiku njerzor - skllavëri e ditëve tona - 2004-06-15


Departamenti amerikan i Shtetit bëri dje publik raportin e katërt për trafikun e qenieve njerëzore. Raporti, i paraqitur nga Sekretari i Shtetit Colin Powell, përfshin 140 vende dhe flet mbi përpjekjet e qeverive të ndryshme për të luftuar format e rënda të këtij trafiku, që zyrtarët amerikanë e cilësojnë si skllavëri e ditëve tona. Në klasifikimin e vendeve sipas 3 grupeve, Shqipëria vazhdon të jetë në grupin e dytë, aty ku ishte edhe një vit më parë. Shqipëria thuhet në raport është një vend burim për trafikimin e grave dhe fëmijve për shfrytëzim seksual dhe punë të detyruar kryesisht në Greqi e Itali dhe më rallë në Britani, Francë dhe Holandë. Megjithatë, ekspertë rajonalë dhe ndërkombëtarë thonë se roli i Shqipërisë si një vend tranzit për të trafikuarit në Evropën Perëndimore ka rënë ndjeshëm. Vitet e fundit, në botë është shtuar ndjeshmëria ndaj problemit të trafikut njerëzor dhe sidomos ndaj trafikimit të tyre si skllave seksi. Për të luftuar këtë problem sot angazhohen shumë organizata ndërkombëtare, një numër prej të cilave në Shtetet e Bashkuara.

Andrea Powell është një nga themelueset e organizatës Fair Fund, me qendër në Cambridge të shtetit Masacusets e cila merret me të drejtat e grave.

Ajo thotë se Ballkani, është pa dyshim një nga objektivat e organizatës së saj, duke patur parasysh seriozitetin e problemit të trafikut njerëzor me burim vendet ballkanike, përfshirë Shqipërinë.

”Shumë nga gratë që trafikohen janë viktima të dhunës dhe kur një grua është viktimë e dhunës ajo ka më shumë të ngjarë të largohet nga vendi, të ndjehet e dëshpëruar dhe e varur nga ata që abuzojnë me të. Pra, ajo është në një situatë psikologjikisht të dëshpëruar,” thotë Powell. Zonja Powell thotë se megjithë përpjekjet e qeverive, lufta kundër trafikut njerëzor kërkon financim të konsiderueshëm.

Financimi është një nga problemet më të mëdha. Është shumë e kushtueshme të ngresh programe për mbrojtjen e dëshmitarëve. Është shumë e kushtueshme të ndjekësh penalisht këto lloj krimesh dhe të garantosh se fajtorët do të ndëshkohen. Ka shumë rëndësi që të ketë dënime si të njerëzve që trafikojnë vajzat shqiptare apo të vajzave të huaja në Shqipëri, por edhe të atyre që i shfrytëzojnë viktimat, sepse nëse kërkesa pakësohet edhe oferta do të pakësohet.

Zonja Powell thotë se shpesh amerikanët nuk e kanë të qartë se sa e vështirë është situata ekonomike në këto vende dhe se si kjo i shton mundësitë e trafikimit të vajzave të reja.

”Shumë njerëz me të cilët bisedoj, më pyesin: pse u tregua kjo ose ajo vajzë aq naive, vërtet mendonte se do të bëhej kërcimtare e famshme në Amerikë? Këta njerëz nuk e kuptojnë se ajo vajzë ka qenë e dëshpëruar dhe se nuk ka informacionin e duhur. Natyrisht që ajo nuk është naive, por është e dëshpëruar dhe kur njeriu është i dëshpëruar, qoftë në Shqipëri apo në Amerikë, do të joshet për të kërkuar një jetë më të mirë,” thotë Powell.

Zonja Powell shpjegon se ka shumë rëndësi që vajzave të cilat janë në qendra rehabilitimi t’u ofrohet një alternativë për jetën.

”Nëse ndihmon një grua të shpëtojë nga trafikantët dhe e dërgon përsëri në vendin e saj, ajo do të jetë në të njëjtën pozitë që ishte edhe më parë: nuk do të ketë punë ose përkrahje pra do të ishte shumë e lehtë që ajo të trafikohej përsëri. Ky do të ishte një rreth vicioz, prandaj ajo duhet ndihmuar të gjejë punë të re. Ka shumë rëndësi që asaj ti kthehet respekti për veten. Në disa raste, ky respekt për vetveten është aq i ulët saqë këto vajza thonë: kush mund të më marrë mua në punë pas gjithë kësaj që më ka ndodhur.”

Prandaj organizata si Fair Fund kanë një objektiv mjaft të qartë. Ato kërkojnë që gratë dhe vajzat të besojnë tek vetvetja si dhe të ndihmojnë të tjerat në vendet ku jetojnë.

XS
SM
MD
LG