Lidhje

Shqipëri: propozime të reja për projektligjin mbi shtypin e shkruar - 2004-06-15


Në Shqipëri, komisioni parlamentar i medias miratoi disa propozime të reja që u përfshinë në projektligjin për shtypin e shkruar i cili pritet ti kalojë parlamentit në muajin korrik. Komisioni përcaktoi një çmim dysheme për shtypin e përditshëm, duke sanksionuar përjashtimin nga lehtësitë fiskale të gazetave që tregtohen nën këtë çmim. Po ashtu, sipas propozimeve të miratuara nga komisioni, botuesit apo bashkëpronarët e gazetave nuk përfitojnë nga fondet publike apo proceset e privatizimit e deri koncesionet.

Janë pesë pika të përfshira në projektin për ligjin e ri të shtypit të shkruar të cilat synojnë të rregullojnë konkurrencën dhe tregun kaotik të shtypit shqiptar të cilit përditë e më tepër po i shtohen gazeta të reja të zotëruara nga biznesmenë dhe tregtarë. Propozimet e reja synojnë të ndalin trasformimin e shtypit shqiptar në një armë të grupeve të caktuara të biznesit që rrezikojnë ta përdorin atë jo aq shumë për botën e informacionit se sa për ta shfrytëzuar në dobi të interesave të tyre personale. Nga ana tjetër kjo do të hiqte edhe mundësinë që pushteti të ushtronte trysni dhe të mund të verë nën kontroll mediat duke luajtur me interesat e tjera të pronarëve të tyre.

Kështu në një prej propozimeve të miratuar sot në Komisionin e mediave, botuesit, ose bashkëpronarët, familjarët dhe personat e lidhur me të ndalohet të përfitojnë nga fondet e buxhetit të shtetit, buxheteve vendore, shoqërive aksionere me kapital publik, paratë e projekteve që qeveria shqiptare i ka siguruar me kredi nga institucionet ndërkombëtare përmes procedurave të prokurimit publik. Gjithashtu botuesve u ndalohet të përfitojnë nga privatizimi, dhënia me qera, apo koncension të pronave publike apo shërbimeve publike në rastet kur bëhet fjalë për aktivitete që nuk kanë lidhje me shtypin.

Një tjetër propozim ka të bëjë edhe me cmimin e gazetave. Sot një pjesë e mirë e tyre tregtohen nën kosto, pikërisht sepse humbjet mbolohen nga bizneset e tjera të pronarëve të tyre. Sipas propozimit që synon t’i vendosë gazetat në një start të njejtë, çmimi dysheme nuk lejohet të jetë më i vogël se 30 lekë. Në rast se një gazetë do të tregtohet nën këtë cmim atëherë ajo nuk do të përfitojë asnjë nga lehtësirat e parashikuara për shtypin që nga heqja e TVSH deri te mos përfitmi nga reklamat e institucioneve shtetërore dhe publike.

Një tjetër propozim ka të bëjë edhe me publikimin e bilanceve të shoqërive botuese si dhe me vendosjen e një tarife fikse për gazetashitësit, të cilët nuk mund të përfitojnë më shumë se 10 përqind të cmimit të një gazete.

XS
SM
MD
LG