Lidhje

Sudan: gjendja tejet e rëndë në rajonin Darfur - 2004-06-16


Gjendja në rajonin prëndimor Darfur të Sudanit vazhdon të jetë shumë e rëndë. Të mbështetur nga ushtria sudaneze, milicitë arabe kanë sulmuar dhe shkatërruar fshatra të tëra të banuara nga zezakë afrikanë në Darfur.

Banorët janë vrarë dhe përdhunuar. Rreth 2 milionë janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Mijëra persona të zhvendosur do të vdesin nëse atje nuk dërgohen shumë shpejt ushqime dhe furnizime të tjera të domosdoshme.

Megjithë marrëveshjen e 8 prillit për aremëpushim midis qevevrisë sudaneze dhe grupeve kryengritëse në Darfur, dhuna vazhdon të jetë pengesa më e madhe në përpjekjet për dërgimin e ndihmave për banorët e rajonit. “Ne, tha bashkërenduesja e Kombeve të Bashkuara për ndihma urgjente, Xhen Egeland, nuk jemi lejuar deri parak pak javësh të shkonim në Darfur.”

Zëvendës-ambasadori amerikan në OKB, Xhejms Kaningham, tha se qeveria sudaneze vazhdon të vështirësojë dërgimin e ndihmave: “Fatkeqësisht, qeveria sudaneze vazhdon të mohojë lejen për përdorimin e automjeteve nga agjencitë humanitare të ndihmave. Në disa raste, ajo ka mohuar edhe lejen për përdorimin e pajisjeve radiofonike të nevojshme për dislokimin e sigurt të punonjësve në zona të largëta për shpërndarjene ndihmës. Përveç këtyre, tha zoti Kaningham, qeveria ka vonuar dërgesat me ushqime nga Port Sudani derisa artikujt ushqimorë janë bërë thuajse të pavlefshëm.”

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Riçard Bouçer, tha se ndalimi i spastrimit etnik në Darfur dhe dërgimi i ndihmave ushqimore për viktimat është një nga përparësitë kryesore të Shteteve të Bashkuara: “Shtetet e Bashkuara i bëjnë thirrje qeverisë së Sudanit të bëjë ç’është e mundur për të mbështetur përpjekjet për dërgimin e ndihmave humanitare, përfshirë dhënien e lejes për përdorimin e të gjitha automjeteve dhe pajisjeve të tjera të nevojshme, si edhe lejen për transportimin e të gjitha dërgesave ushqimore të caktuara për banborët e rajonit Darfur. Në të njëjtën kohë, ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve, pra qeverisë, grupit Ushtria dhe Lëvizja për Çlirimin e Sudanit dhe Lëvizjes Drejtësia dhe Barazia që të bashkëpunojnë me Kombet e Bashkuara dhe agjencitë humanitare për të shmangur ndërhyrjen në punën e tyre dhe të respekjtojnë marrëveshjen për armëpushim. Në mënyrë të veçantë, tha zoti Bouçer, i bëjmë thirrje autoriteteve sudaneze të ndalojnë sulmet e milicive të mbështetura nga qevevria.”

“Në Darfur, tha sekretari amerikan i Shtetit, Kolin Pauëll, janë të paktën një milion njerëz që kanë nevojë të ngutshme për ndihma dhe shumë prej tyre do të vdesin nëse ne nuk mund të mobilizojmë komunitetin ndërkombëtar dhe nëse nuk mund të bindim qeverinë sudaneze që të bashkëpunojë.”

XS
SM
MD
LG