Lidhje

Emërohet shefi i ri i UNMIKut - 2004-06-16


Diplomati danez Soren Jessen Petersen do të jetë shefi i ri i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ky vendim i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Koffi Annan është bërë i ditur në orët e mbremjes, nëpërmjet një njoftimi të lëshuar nga zyrtarët e kësaj organizate. Zoti Petersen do të zëvendësojë diplomatin finlandez Harri Holkeri i cili dha dorëheqje nga ky post për shkaqe shëndetësore.

Soren Jessen-Petersen me shtetësi daneze, ka shërbyer në disa poste të rëndësishme civile ndërkombëtare, si në Komesariatin e Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian. Që nga shkurti i vitit të kaluar ai ishte përfaqësues i posacëm i Bashkimit Evropian në Republikën ish Jugosllave të Maqedonisë. Gjatë kësaj periudhe ai ka vizituar edhe Kosovën, ku ka zhvilluar takime me përfaqësues të lartë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Emërimi i shefit të ri të Misionit të Kombeve të Bashkuara është përshëndetur në reagimet e para në Kosovë, si nje veprim i cili në radhë të parë shmangë përsëritjen e përvojës së kaluar kur krijohej boshllëk institucional nga shkuarja e njërit administrator dhe emërimit të tjetrit. Muhamet Hamiti, zëdhënës i presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova tha se shefi i ri i UNMIK-ut duhet të vijë në Kosovë me vullnetin për të kaluar pushtetin tek institucionet vendëse, të cilat sidomos pas zgjedhjeve të vjeshtës do të forcoheshin për të qeverisur një Kosovë të pavarur. “Rrugë tjetër nuk ka. Kjo që kishim deri tash është provuar tash e pesë vjet. Misioni I OKB-së sipas nevojës do të merrte rol këshilldhënës, apo vëzhgues. Thënë shkurt, administratori i ri, kushdo që të jutë ai, duhet të vijë me vullnetin për të ndërruar rolin e UNMIK-ut rrënjësisht, në mkënyrë që institucionet e Kosovës të ushtrojnë pushtetin që buron nga vota e popullit”, tha zoti Hamiti.

Ndërkaq Mimoza Kusari, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, tha se është pozitiv fakti që emërimi është bërë në një periudhë të shkurtër pas dorëheqjes së paraardhësit të zotit Petersen, në mënyrë që të mos zgjatet boshllëku i udhëheqjes me rendësi thelbësore për gjendjen në Kosovë. “Pritet një bashkëpunim i afërt me zotin Petersen, që të lëvizet mekanizmi i UNMIK-ut, e gjithsesi të vazhdojnë proceset, sidomos procesi shumë i rëndëishëm ‘standardet për Kosovën’ dhe kalimi i kompetencave për të cilin është duke u folur për një kohë të gjatë por që në realitet nuk ka pasur një dinamikë të kënaqshme nga ana e UNMIK-ut. Domosdoshmërisht pritet zvogëlimi i fuqisë vendimarrëse të UNMIK-ut kundruall institucioneve të Kosovës”, theksoi zëdhënësja Kusari.

Soren Jessen-Petersen është administratori i gjashtë me radhë i Kosovës dhe i dyti nga Danimarka. Në vittin 2001, shef i Misionit të Kombeve të Bashkuara ishte bashkëkombësi i tij Hans Haekerup, i cili pas vetes la një shije jo shumë të mirë në marrëdhëniet e tij me institucionet vendëse në Kosovë. Në periudhën e administrimit të tij është miratuar Korniza Kushtetuese e Kosovës, e cila vazhdon të jetë temë debatesh, si dhe një marrëveshje e tij me shefin e qendrës bashkrenduese serbe për Kosovën Nebojsha Coviq, përmbajtja e së cilës ende nuk është shumë e qartë për institucionet vendëse të Kosovës.

XS
SM
MD
LG