Lidhje

Megjithë dhunën në Irak, Presidenti Bush thekson objektivat afatgjata - 2004-06-17


Më pak se dy javë para transferimit të sovranitetit tek qeveria kalimtare e Irakut, Presidenti Bush po mbron vendimin e tij për të shkuar në luftë dhe për të përmbysur Sadam Huseinin.

Megjithëse e enjtja ishte një ditë tjetër e dhunshme në Bagdad, Presidenti Bush bëri përpjekje për ta përqendruar vëmendjen tek objektivi afatgjatë.

“Iraku do të jetë i lirë. Dhe një Irak i lirë është në interesin e vendit tonë”, tha presidenti.

Duke folur para gazetarëve në fund të një takimi me kabinetin e tij, zoti Bush tha se një Irak i lirë do ta bëjë botën më paqësore. Ai nuk iu referua drejtpërdrejt shpërthimit vetëvrasës në Bagdad që shkaktoi vdekjen e dhjetra vetëve, por nënteksti ishte i qartë. “Ne e kuptojmë plotësisht se terroristët do të përpiqen ta lëkundin vendosmërinë tonë, që të na detyrojnë të tërhiqemi nga angazhimet në vende si Afganistani dhe Iraku. Ata nuk do të arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë”.

Komentet u bënë ndërsa Shtëpia e Bardhë përballej me një sfidë tjetër ndaj argumentave që ka paraqitur kur filloi luftën.

Në një raport të Komisionit që po heton sulmet e 11 shtatorit, që u bë publik të mërkurën, thuhej se nuk kishte prova në mbështetje të pohimeve për një bashkëpunim mes al-Kaidës dhe Sadam Huseinit.

Në përgjigje të pyetjeve për raportin, Presidenti Bush tha se nuk kishte folur asnjëherë për lidhje direkte mes udhëheqësit të përmbysur të Irakut dhe sulmeve të 11 shtatorit. Por ai riktheksoi se Sadam Huseini kishte lidhje terroriste.

“Kjo administratë nuk ka thënë kurrë se sulmet e 11 shtatorit ishin orkestruar nga bashkëpunimi mes Sadam Huseinit dhe al-Kaidës. Ne thamë se kishte patur disa kontakte mes Sadam Huseinit dhe al-Kaidës”.

Më parë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Scott McClellan nuk u dha shumë rëndësi zbulimeve të komisionit duke thënë se ato nuk binin në kundërshtim me qëndrimet e administratës. Ai tha se lidhjet e Sadam Huseinit me terrorizmin ishin të njohura dhe zgjasnin prej kohësh, duke vënë në dukje se ish-regjimi irakian strehonte terroristë, u jepte ndihmë autorëve të sulmeve vetëvrasëse dhe kishte kontakte të nivelit të lartë me grupet terroriste.//kk//

XS
SM
MD
LG