Lidhje

Jessen-Petersen: Detyra në Kosovë është jashtëzakonisht e vështirë - 2004-06-17


Shefi i sapoemëruar i UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen, thotë se ai do të ketë një detyrë jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë, sidomos pas ngjarjeve të marsit. Në një intervistë telefonike që i dha sot Zërit të Amerikës nga Shkupi, ai tha se këto ngjarje tregojnë se problemi i Kosovës ka nevojë për një zgjidhje urgjente. Zoti Petersen tha gjithashtu se ai do të përpiqet të ndërtojë një konsensus ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Zoti Petersen tha se kjo është një periudhë shumë kritike për Kosovën. Ngjarjet e marsit shënuan një kthim shumë të madh prapa dhe ato tregojnë se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të kthejë shpinën dhe të çangazhohet siç kishte filluar të bënte.

Së dyti mund të them se ato ngjarje flasin qartë se kërkohet një urgjencë shumë më e madhe për të ecur drejt një farë zgjidhjeje të problemit.

Përsa u përket sfidave, është e qartë se edhe UNMIK-u pësoi një dështim të madh, në kuptimin e imazhit dhe emrit të tij pra është e nevojshme që ky imazh të rindërtohet.

Përveç kësaj ka edhe shumë sfida të tjera për të cilat unë jam plotësisht i vetëdijshëm por që tani për tani ende nuk kanë qenë në qendrën time të vemendjes.

Zoti Jessen Petersen tha se ai ende nuk ka plane për reformimin e UNMIK-ut por shtoi se së shpejti do të shkojë në Nju Jork dhe në Bruksel për të diskutuar dhe hartuar planet e tij. I pyetur për rolin që ai parashikon të luajë lidhur me çështjen e statusit të Kosovës, shefi i ri i UNMIKU-t Jessen-Petersen tha:

”Unë dëshiroj të luaj një rol të rëndësishëm, pra të bëj ç’është e mundur për të ndërtuar atë që sot nuk ekziston - një farë konsensusi ndërkombëtar në rrugën që kemi përpara. Një nga vështirësitë është se pikpamjet për këtë çështje janë shumë të ndryshme pasi kemi të bëjmë me një çështje jashtëzakonisht komplekse. Por natyrisht unë kam ndërmend të luaj një rol për arritjen e një konsensusi ndërkombëtar në këtë drejtim. Deri tani kjo nuk është arritur por është e qartë se ky konsesus duhet arritur patjetër.”

Zoti Jessen-Petersen tha se qysh prej 8 vjetësh ka punuar për çështje që lidhen me Kosovën megjithëse asnjëherë nuk ka patur zyrë atje. Ai thotë se ka qenë shumë herë në Kosovë dhe kohët e fundit është takuar me shumë nga udhëheqësit e atjeshëm, me aktorët ndërkombëtarë në Kosovë si dhe me udhëheqës të rajonit, përfshirë ata të Beogradit.

Situata në Kosovë nuk është e re për mua, tha zoti Jessen-Petersen. Gjatë 6 muajve të fundit që kam qenë këtu në Maqedoni, tha ai, e kam ndjekur nga shumë afër gjendjen.

XS
SM
MD
LG