Lidhje

SHBA: zyrtarët komentojnë mbi Naton dhe pranimet e reja - 2004-06-17


Zyrtarë amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara do ta ndihmojnë Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë në procesin e anëtarësimit në Nato, por ato presin që këto vende të bëjnë akoma më shumë. Ata i bënë komentet gjatë një seance dëshmish të zhvilluar në Kongresin amerikan.

Takimi i nivelit të lartë të Natos që do të mbahet në Stamboll më 28 dhe 29 qershor, cilësohet nga zyrtarët amerikanë si një ngjarje historike, sepse ai është takimi i parë i udhëheqësve të 26 vendeve që përbëjnë aleancën atlantike.

Kjo u theksua edhe në një seancë me pyetje përgjigje të organizuar dje pasdite në Kongresin amerikan.

Më 29 mars të këtij viti, 7 vende të reja nga Evropa Qendrore dhe Lindore u pranuan në Nato dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Doug Bereuter, i cili kryeson nënkomisionin për Evropën në komitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare të kësaj Dhome, tha se vendimi për pranimin e këtyre vendeve është një nga sukseset e mëdha të politikës së jashme të Amerikës dhe të Natos që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë.

Më 30 mars të këtij viti, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një rezolutë ku shprehte synimin për ta mbajtur të hapur derën e Natos për pranimin e tre vendeve të reja: Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Rezoluta rekomandonte që udhëheqësit e Natos të shqyrtojnë kërkesat për pranim të këtyre tre vendeve në takim të nivelit të lartë jo më vonë se viti 2007.

Robert Bradke, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit për Çështjet Evropiane, i cili dëshmoi në seancën e djeshme, i tha Zërit të Amerikës se dyert e Natos për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë janë të hapura por prej tyre kërkohet më shumë.

”Në takimin e Stambollit ne do t’u themi atyre se ato kanë bërë shumë përprim në punën për tu pranuar në Nato, se dera e Natos është e hapur për ta dhe se ne do t’i ndihmojmë ato ta kapërcejnë këtë derë. Por le ta themi hapur: ato duhet të bëjmë më shumë, ato ende nuk janë gati, prandfaj duhet të bëjmë më shumë në aspektin e reformës politike, ekonomike dhe ushtarake dhe ne jemi gati t’i ndihmojmë për këto reforma,” tha zoti Bradke.

Në seancën e djeshme, zoti Bereuter i bëri thirrje administratës së Presidentit Bush që në Komunikatën e Takimit të Stambollit të thuhet qartë se jo më vonë se viti 2007, Natoja do të shqyrtojë ftesat për pranimin e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, Robert Bradke thotë se administrata nuk ka caktuar ndonjë afat për këtë qëllim.

”Ne nuk përpiqemi të caktojmë ndonjë datë për progresin që duhet bërë ose për ftesa lidhur me raundin tjetër të zgjerimit të Natos. Mendoj se përpjekjet duhet të përqendrohen tek reformat që duhen realizuar pa u marrë shumë me afate, pra se kur duhen përfunduar këto reforma apo rreth një date magjike në të ardhmen.”

Zoti Bradke thotë se në thelb pranimi në Nato nuk është njëlloj si pranimi në Bashkimi Evropian ku kërkohen kritere mjaft specifike. Në Nato, pyetjet thelbësore që bëhen janë vetëm dy: a është ky apo ai vend një demokraci tani dhe në të ardhmen? Dhe, së dy ti, a mund të japë ky ose ai vend kontribut për sigurimin e Aleancës? Sepse vendet që pranohen në aleancë nuk janë thjesht konsumatorë të sigurisë por edhe prodhues të saj.

Zoti Bradke tha gjithashtu se forca e Natos në Kosovë - KFOR-i do të mbahet në nivelet e tanishme prej 17 mijë trupash ndërsa forca stabilizuese për Bosnjen do ta mbarojë misionin e saj para fundit të këtij viti dhe Bashkimi Evropian do të krijojë atje një mision ushtarako-policor. Megjithatë, theksoi zyzrtari amerikan, angazhimi i Shteteve të Bashkuara dhe Natos ndaj Bosnjes do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG