Lidhje

Bush: administrata e tij nuk ka thënë asnjëherë se Iraku ka patur lidhje me sulmet e 11 shtatorit - 2004-06-17


Presidenti Bush ka këmbëngulur vazhdimisht se Sadam Husseini ka lidhje me organizatën terroriste Al-Kaida, megjithë përfundimet e arritura nga Komisioni 11 Shtatori, se nuk ka patur fakte të besueshme për lidhje të tilla.

Presidenti Bush u tha dje gazetarëve se administrata e tij nuk ka thënë asnjëherë se Iraku ka patur lidhje të drejtpërdrejta me planin për sulmet e 11 shtatorit. Por ai tha se lidhjet e Sadamit me terroristët diheshin dhe se ka patur mjaft lidhje midis Al-Kaidës dhe ish-udhëheqësit irakian.

Presidenti Bush i bëri këto komente një ditë pasi komisioni i pavarur që po heton sulmet e 11 shtatorit, arriti në përfundimin se nuk ka fakte që tregojnë se Al-Kaida ka lidhje të forta me Sadamin.

Gazeta The New York Times i bëri dje thirrje presidentit Bush në një artikull të saj, të kërkojë falje, sipas fjalëve të përdorura në artikull, për përpjekjet “e pandershme” për ta lidhur luftën në Irak me luftën kundër terrorizmit.

Komisioni që po heton sulmet terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara tha se sistemi kombëtar i mbrojtjes ajrore ishte krejtësisht i papërgatitur për sulmet e ndërmarra nga al-Kaida.

Informacioni përfshihej në një rapor të personelit të komisionit, që u publikua dje, para se komisioni të përfundonte dëshmitë e 12 publike dhe të fundit.

Raporti thotë se zyrtarëve ushtarakë dhe të aviacionit iu desh t’u përgjigjeshin këtyre sfidave për të cilat nuk ishin përgatitur.

Raporti thotë gjithashtu se nën-presidenti Dick Cheney autorizoi aeroplanë ushtarakë që të sulmojnë çdo aeroplan që niset drejt Washingtonit, por ky urdhër nuk u arriti pilotëve derisa aeroplani i katërt i rrëmbyer ishte rrëzuar.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McMlellan, tha se që nga ajo ditë, janë bërë përmirësime në procedurat e mbrotjes ajrore të vendit.

Komisioni u dha fund dje në Uashington dëshimive dhe deri në fund të muajit korrik duhet të lëshojë raportin përfundimtar.

//ze//

XS
SM
MD
LG