Lidhje

Përparim në Afganistan - 2004-06-18


Në muajin shtator, populli i Afganistanit do të shkojë në qendrat e votimit për të zgjedhur presidentin dhe parlamentin e vendit. Hamid Karzai, presidenti aktual i Afganistanit, erdhi këto ditë në Washington, ku mbajti një fjalim në kongresin amerikan dhe u takua me presidentin Bush. Zoti Karzai i falenderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën e tyre në rindërtimin e Afganistanit pas viteve të shtypjes dhe keq-qeverisjes talebane.

“Ne kemi një kushtetutë, e cila është më e pasura në atë pjesë të botës. Dhe kjo kushtetutë u bë e mundur si rezultat i lirisë që ju na ndihmuat ta fitojmë dhe qëndrueshmërisë që Shtetet e Bashkuara e ndihmuan Afganistanin të sigurojë. Si rezultat i kësaj ndihme të Shteteve të Bashkuara, ne kemi një kushtetutë që na bën shembull të një shteti islamik demokratik.”

Por presidenti Karzai tha se Afganistani ende përballet me probleme.

“Mes problemeve është çështja e drogave. Qeveria afgane është e paepur. Populli afgan është i vendosur në luftën kundër këtij kërcënimi, për t’i dhënë atij fund në Afganistan dhe për këtë ne kemi nevojë për ndihmën tuaj.”

Megjithë problemet, në shumë fusha është bërë përparim. Afganistani nuk është më strehë për terroristët e Al-Kaidës. Uji i pijshëm është i disponueshëm në shumë pjesë të vendit. Në vend janë rehabilituar spitale dhe klinika. Miliona fëmijë afganë janë vaksikuar kundër poliomelitit dhe fruthit. Para 3 vjetësh, gratë afgane shtypeshin egërsisht nga regjimi ekstremist taleban. Shumica e grave nuk lejoheshin të punonin jashtë shtëpisë, kurse vajzat nuk lejoheshin të shkonin në shkollë. Në shumë raste, grave u mohohej edhe ai pak kujdes shëndetsor që ekzistonte.

Sot, tha presidenti Bush, vajzat afgane shkojnë në shkollë dhe të drejtat e grave mbrohen në bazë të kushtetutës së Afganistanit.

“Gratë rriheshin po të vishnin këpuvë me ngjyra të ndezura. Edhe luajtja e muzikës dhe fluturimi i balonave ishin të ndaluara. Sot ne jemi dëshmitarë të rilindjes së kulturës së gjallë afgane. Muzika dëgjohet në ambjente të ndryshme dhe njerzit janë të lirë të mblidhen për të festuar hapur.”

Rruga drejt së ardhmes për Afganistanin është ende e gjatë dhe e vështirë, tha presidenti Bush. Megjithatë, shtoi ai, populli afgan duhet ta dijë se vendi i tij nuk do të braktiset për t’u shndëruar në strehë të terroristëve dhe vrasësve. Bota dhe Shtetet e Bashkuara e mbështesin popullin afgan, duke e konsideruar atë partner në kërkim të paqes e begatisë, qëndrueshmërisë dhe demokracisë.

//ze//

XS
SM
MD
LG