Lidhje

Sekretet e martesës së suksesshme - 2004-06-19


Një këngë e mirënjohur e viteve 70 thotë - dashuria do të na mbajë të bashkuar. Por kjo nuk ishte e vërtetë atëherë dhe nuk është e vërtetë as tani. 50 për qind e martesave në Amerikë përfundojnë në divorc. Dashuria mund t’i sjellë çiftet pranë, por siç na njofton korrespondentja Faiza Elmasry, kërkohen aftësi të tjera për të mbetur të bashkuar dhe për të mbijetuar të përpjetat dhe tatëpjetat që sjell martesa.

Për vite me radhë, Squire Rushnell mendonte se dashuria nuk ishte për të gjithë.

“Unë kalova dy martesa të pafat dhe gjithmonë thosha me vete - nuk mendoj se kam rënë ndonjëherë në dashuri. Dashuria është vetëm nëpër këngë dhe filma. Dhe me sa duket nuk do ta përjetoj ndonjëherë”.

Nuk ndodhi kështu. Ai gjeti dashurinë e tij kur çoi të birin në një shfaqje në Broadway ku luante një grua që nuk e kishte parë për 30 vjet.

“I thashë djalit se e kisha patur shoqe të vjetër dhe ndoshta mund ta takonim prapa skenës. Pasi u takuam kuptuam se kishim shumë gjëra të përbashkëta dhe se të dy ishim të pamartuar”.

Ata u martuan. Kanë kaluar pesë vjet dhe vazhdojnë të jetojnë të lumtur. Zoti Rushnell përfshin historinë e tij të dashurisë bashkë me disa të tjera në librin e tij Lejo fuqinë e besimit të të drejtojë në dashuri. Ai e përmbledh sekretin për një martesë të gëzuar në gjashtë fjalë të urta.

“Kur i bashkoj ato formojnë akronimin Laughs që do të thotë qeshje. L është për buzëqeshjen. Çdo marrëdhënie e mirë ka nevojë për sensin e humorit, veçanërisht për të kaluar momentet e tensionuara që ekzistojnë në çdo marrëdhënie. A-ja qëndron për mirënjohje. Duhet të shprehësh mirënjohjen për partnerin disa herë në ditë. U-ja është për mirëkuptim dhe jo vetëm të dëgjosh”.

Sipas tij, një lidhje e mirë shpirtërore e bën çdo marëdhënie më të fortë. Gjithashtu një nga premtimet që bëjnë çiftet në ceremoninë e martesës është të jenë përkrah njëri tjetrit, por shumë i harrojnë ato.

Megjithëse çiftet thonë shumë premtime kur martohen, Harriette Cole, planifikuese martesash, thotë se dhëndëri dhe nusja nuk u kushtojnë vëmendje atyre që thonë.

“Kam udhëtuar ngado dhe kam kuptuar se ndërsa çiftet harxhojnë shumë kohë dhe para për dasmën, ato i kushtojnë shumë pak vëmendje ceremonisë dhe premtimit që i bëjnë njëri tjetrit. Shkalla e divorcit është shumë e lartë në vendin tonë. Besoj se është e rëndësishme të inkurajohen çiftet e reja të mendojnë më shumë për ato që premtojnë”.

Në librin e saj Vows, zonja Cole i inkurajon çiftet t’i kthejnë premtimet në vepra. Ndërsa rastësia apo shansi mund të bëjë që dy njerëz të bien në dashuri, ekspertët pohojnë se janë mbajta e premtimeve të martesës që i mban çiftet të bashkuar dhe në dashuri.

XS
SM
MD
LG