Lidhje

SHBA: Komisioni 11 shtatori përpiqet të evitojë përçarjet partiake brenda tij - 2004-06-20


Në Shtetet e Bashkuara, drejtuesit e komisionit që po heton rreth sulmeve terroriste të 11 shtatorit nuk u kushtuan shumë rëndësi mosmarrëveshjeve që kanë me Shtëpinë e Bardhë për çështjen nëse ka patur apo jo al-Qaida lidhje me regjimin e përmbysur të Irakut. Por në të njëjtën kohë, ata e bënë të qartë se kërkojnë më shumë informacion nga disa prej figurave kryesore të administratës së Presidentit Bush.

Dy drejtuesit kryesorë të komisionit po përpiqen të evitojnë një përçarje midis republikanëve dhe demokratëve që përbëjnë këtë komision hetimesh. Prandaj ata po kërkojnë mënyra për të zbutur mosmarrëveshjet rreth një çështjeje delikate - a ka patur apo jo ish presidenti irakian Saddam HUssein lidhje me rrjetin terrorist të al-Qaidës.

Në një raport të publikuar para pak ditësh, komisioni thoshte se nuk ka prova që të vërtetojnë se Saddam Husseini ka bashkëpunuar me al-Qaidën për sulmet e 11 shtatorit. Ndihmësit e komisionit thonë se kanë gjetur prova kontaktesh por jo marrëdhëniesh konkrete midis të dyve.

Por Shtëpia e Bardhë, e cila shfrytëzoi lidhjet e Irakut me terrorizmin si arësye për të ndërhyrë, vazhdon të ngulë këmbë se regjimi irakian kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta me al-Qaidën. Të enjten, pasi komisioni publikoi një raport paraprak për hetimet e bëra, nënpresidenti Dick Cheney la të kuptohet se ai kishte informacione të cilat komisioni nuk i kishte kaluar nëpër duar. Ai i bëri komentet në një intervistë me rrjetin televiziv amerikan CNBC.

I pyetur për komentet e zotit Cheney, kryetari i komisionit Thomas Kean i kërkoi nënpresidentit të dorëzojë çdo informacion shtesë që mund të ketë. I intervistuar nga rrjeti televiziv ABC, zoti Kean theksoi se raporti në fjalë ishte thjesht një dokument paraprak dhe se raporti përfundimtar ende nuk ishte përfunduar.

"Kutohet, nëse ka ndonjë informacion që lidhet me subjektin e raportit, ne kemi nevojë për të dhe na duhet shumë shpejt. Ne do ta kërkojmë këtë informacion dhe do të shikojmë. Nëse administrata ka një informacion që ne nuk e kemi, atëhere le të shpresojmë se do ta kemi atë shumë shpejt."

Thomas Kean është republikani më i rëndësishëm në këtë komision të pavarur i cili u krijua nga Kongresi me miratimin e Shtëpisë së Bardhë. Lee Hamilton është demokrati më i rëndësishëm i komisionit. Ai iu bashkua thirrjeve që nënpresidenti Cheney të dorëzojë çdo informacion shtesë që mund të ketë për çështjen në fjalë. Ai i tha rrjetit ABC se diferencat që komisioni mund të ketë me administratën për çështjen e lidhjeve të Irakut me al-Qaidën janë ndoshta thjesht një problem i përdorimit të fjalëve.

"Të gjithë ne e kuptojmë se kur dikush fillon të përdorë fjalë të tilla si ”marrëdhënie”, ”lidhje” apo ”kontakte”, secili ka një pikpamje paksa të ndryshme për kuptimin e saktë të secilës fjalë,” tha zoti Kean.

Si kryetari i komisionit Kean ashtu edhe nënkryetari i tij Hamilton theksuan se detyra e komisionit është hetimi i sulmeve të 11 shtatorit dhe jo periudha deri në ndërhyrjen amerikane në Irak. Ata thanë gjithashtu se ndonëse administrata ka folur për lidhjet e Saddam Husseinit me terrorizmin, ajo asnjëherë nuk ka thënë se Iraku u bashkua me al-Qaidën për të ndërmarrë këto sulme - më të rëndat në tokën amerikane.

Në rrjetin tjetër televiziv, NBC, anëtari i komisionit John Lehman e bëri të qartë se ai shpreson që mosmarrëveshjet për këtë çështje të shuhen fare, duke shtuar se komisioni duhet të evitojë çdo diskutim në linja partiake ndërkohë që përgatit rekomandimet e tij përfundimtare.

"Mendoj se njerëzit do të shikojnë rekomandime të njëzëshme për agjencitë e zbulimit nga komisioni ynë. Dhe ato do të bazohen mbi fakte tronditëse të zbuluara nga ne, fakte që flasin për mosfunksionime serioze brenda komunitetit të zbulimit,” tha zoti Lehman.

Raporti i komisionit do të bëhet publik më 26 qershor. Para se t’i jepet publikut, dokumenti do t’i kalojë së pari Shtëpisë së Bardhë për t’u siguruar se aty nuk është përfshirë ndonjë informacion sekret që mund të dëmtonte sigurimin kombëtar.

XS
SM
MD
LG