Lidhje

Shqipëri: Banka Qendrore thote se inflacioni ka pesuar ulje - 2004-06-20


Banka e Shqipërisë njoftoi një ulje të re të inflacionit, si rezultat i prodhimeve të stinës. Krahas rritjes së prodhimeve bujqësore vendase në treg, ekspertët bankarë kanë vërejtur edhe një rënie të importeve. Ilirian Agolli na sjell më tepër hollësi në raportin e sotëm.

Banka Qendrore e Shqipërisë sapo ka raportuar një ulje tjetër të inflaconit gjatë muajit maj, i cili ka arritur shumë më poshtë se mesatarja vjetore e inflacionit. Në raportin mujor të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë thuhet se inflacioni zbriti në rreth 2,6%, ndërsa norma mesatare e inflacionit vjetor ishte afro 3.2 për qind.

Sipas vëzhgimeve, kjo ulje e inflacionit erdhi si pasojë e uljes së importeve dhe futjes në treg të prodhimeve bujqësore vendase më herët se zakonisht. Ekspertët bankarë pohojnë se kjo situatë do të mbështesë më tej zhvillimin ekonomik të vendit dhe kreditimin e bizneseve nga bankat.

Dhe në fakt, gjatë muajit të fundit të matur, bankat lëvruan kredi të reja rreth 50% më shumë se një vit më parë. Likuiditeti i monedhës mbeti në nivele të qëndrueshme, ndërsa Banka Qendrore lehtësoi kushtet monetare, duke ulur me 0,5 pikë normën bazë të interesave bankare, pas parashikimeve optimiste mbi ekonominë gjatë sezonit të verës.

Veprimet bankare të bizneseve dhe depozitat në valuta të huaja kanë shënuar rritje, ndërsa qeveria dhe ekonomia në tërësi kanë patur një kërkesë më të ulët për fonde në monedhën vendase - leku. Por nga ana tjetër, leku ka qenë më i fortë në kursin e këmbimit, i favorizuar nga ulja e importeve dhe inflacioni i zbitur.

Ekspertët vlerësojnë se ky mjedis i qëndrueshëm makro - ekonomik tregon një kujdes më të madh për zbutjen e varfërisë në vend. Të ardhurat për frymë këtë vit janë trefishuar në krahasim me 1997, ndërsa po synohet një stabilitet më i madh edhe për cmimet e tregut. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare i kanë kërkuar Shqipërisë mbajtjen nën kontroll të treguesve kryesorë makro - ekonomikë.

Për këtë vit dhe në vazhdim ekonomia shqiptare parashikohet të shënojë një rritje vjetore së paku 6%. Ky vlerësohet prej tyre si një proces jo i lehtë, por mëse i realizueshëm nga autoritetet shqiptare, falë edhe ekspertizës dhe ndihmës financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore, si edhe investimeve të huaja.//kk//

XS
SM
MD
LG