Lidhje

Shtetet e Bashkuara dhe Maroku nënshkruan një marrëveshje për tregëtinë e lirë - 2004-06-20


Shtetet e Bashkuara dhe Maroku kanë nënshkruar një marrëveshje për tregëtinë e lirë. Ky pakt do të zgjerojë mundësitë për punëtorët, industrialistët, fermerët, blegtorët, punonjësit e sektorit të shërbimeve si dhe konsumatorët në të dyja vendet. Në Lindjen e Mesme, Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje për tregëtinë e lirë me Izraelin dhe Jordaninë dhe kohët e fundit përfunduan negociatat për një marrëveshje të ngjashme me Bahrenin.

Hap pas hapi, thotë përfaqësuesi amerikan i tregëtisë Robert Zoellick, Shtetet e Bashkuara “po punojnë për të ndërtuar ura lidhëse për tregëti të lirë me reformatorët ekonomikë dhe socialë në Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara kanë në plan të ofrojnë tregëti dhe hapje tregjesh si vegla jetike për udhëheqësit që përpiqen të ndërtojnë shoqëri më të hapura, më optimiste dhe më tolerante islamike.” Këto marrëveshje, tha zoti Zoellick janë “blloqet ndërtuese që do të çojnë në realizimin e vizionit të presidentit Bush për një rajon të tregëtisë së lirë në Lindjen e Mesme.”

Presidenti Bush i bëri të ditura në maj të vitit 2003 objektivat e rajonit të tregëtisë së lirë:

“Në mbarë globin, tregjet e hapura dhe tregëtia e lirë kanë ndihmuar për të mposhtur varfërinë dhe u kanë mësuar grave dhe burrave tiparet e lirisë. Prandaj propozoj krijimin brenda një dekade të një rajoni të tregëtisë së lirë ndërmjet Shteteve të Bashkura dhe Lindjes së Mesme për ta përfshirë Lindjen e Mesme në qarkun e mundësive, për t’u dhënë shpresë popujve që jetojnë në atë rajon,” tha presidenti Bush.

Aktualisht Maroku importon rreth 11 miliardë dollarë mallra çdo vit. Vëllimi vjetor i importeve nga Shtetet e Bashkuara është thuajse gjysmë miliard dollarë në produkte si avionë, misër, makineri, artikuj farmaceutikë dhe tekstile.

Produktet amerikane futen në Marok kundrejt një tarife më të lartë se 20 për qind e vlerës, ndërsa produktet marokene futen në Shtetet e Bashkuara përkundrejt një tarife importi prej mesatarisht 4 për qind. Por në bazë të marrëveshjes së re të tregëtisë së lirë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Marokut, tarifat do të eliminohen menjëherë në 95 për qind të vëllimit të tregëtisë dy palëshe në produktet të konsumit të gjerë dhe atij industrial. Tarifat e tjera do të eliminohen brenda një periudhe 9 vjeçare. Do të ulen gjithashtu pengesat ndaj tregëtisë në produktet bujqësore dhe shërbimet. Kjo pritet të sjellë si rezultat një rritje të vëllimit të tregëtisë dy palëshe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Marokut.

“Përmes marrëveshjeve të tregëtisë së lirë,” tha përfaqësuesi amerikan i tregëtisë Zoellick, “ne mund të përqafojmë shtetet reformatore, duke i fuqizuar shanset e tyre për sukses, ndërkohë që hapim tregje të reja për mallrat dhe shërbimet amerikane.”

XS
SM
MD
LG