Lidhje

Nano: Shqipëria shpreson të mbyllë bisedimet për Asocim Stabilizimin brenda 6 mujorit të parë të vitit 2005 - 2004-06-21


Shqipëria shpreson të mbyllë bisedimet për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit me Komisionin Evropian brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Këtë e deklaroi të hënën Kryeministri Fatos Nano në parlament gjatë një interpelance lidhur me vizitën e tij në Greqi dhe bisedimet me homologun e tij grek Karamanlis. Kryeministri Nano deklaroi gjithashtu se brenda këtij viti do të mbyllet procesi i transparencës së firmave piramidale dhe kompensimit të kreditorëve.

Asgjë e re edhe këtë vit në procesin e bisedimeve mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për marrëveshjen e Asocim Stabilizimit. Bisedimet do të vazhdojnë duke mbyllur vitin e dytë të zhvillimit të tyre dhe me shpresën e re të qeverisë shqiptare që ato të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm. Të paktën ky është afati i dhënë të hënën nga Kryeministri Nano gjatë një interepelance rreth takimeve të tij me Kryeministrin grek Kostas Karamanlis gjatë muajit të kaluar në Athinë.

"Mora mbështetjen e plotë dhe të paekuivok të Kryeministrit Karamanlis se Greqia do të jetë kurdoherë përkrah Shqipërisë në këtë proces historik jo vetëm për fatet e saj por dhe të krejt rajonit duke e vënë theksin në mbylljen e negociatave me Komisionin Evropian dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Asocim Stabilizimit brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm", tha Kryeministri Nano.

Por mbetet që edhe ky afat të konsiderohet vetëm një dëshirë e autoriteteve shqiptare përsa kohë deklarimet e tyre për mbylljen e bisedimeve edhe më parë kanë qenë zhgënjyese. Kështu, qeveria shqiptare shpresoi shumë në përfundim të bisedimeve në fundin e vitit të kaluar kur presidenca e Bashkimit Evropian ishte nën drejtimin e Italisë. Më pas u tha se gjatë presidencës irlandeze, në këtë pjesë të parë të vitit 2004, do të ishte thuajse e sigurtë, por sërish asgjë.

Raporti i Komisionit Evropian i publikuar në mars, jo vetëm që nuk linte asnjë mundësi, por e mbante të largët afatin e mbylljes së bisedimeve. Aq sa autoritetet shqiptare nuk guxonin me të jepnin asnjë afat duke gjetur formulën se bisedimet janë një proces për të cilin nuk mund të vihen data. Të hënën, më së fundi, ishte Kryeministri që përcaktoi një afat të ri.

Kreu i qeverisë njoftoi po ashtu për një tjetër surprizë. Brenda këtij viti do të mbyllet procesi i stërzgjatur i transparencës së skemave piramidale dhe kompensimit të kreditorëve. Edhe këtë deklaratë ai e bëri në parlament gjatë një tjetër interpelance të kërkuar nga një prej deputetëve të opozitës.

"Deri në fund të vitit 2004 do të përfundojë plotësisht procesi i administrimit të tyre. Kjo do të thotë likuidim i plotë i vlerave të rekuperuara dhe shpërndarje e strukturës shtetërore që u mor me këtë problem. Vazhdon dhe është drejt përfundimit rikompensimi me koeficient i kreditorëve të 12 shoqerive huamarrëse ne administrim, koeficient që varion 11-50 përqind të vlerës së borxhit te njohur ligjerisht. Eshtë përgatitur e së shpejti do të miratohet projektvendimi për rikompensimin e kreditorëve të shoqërive huamarrëse me koeficent 10-11 përqind për të realizuar mbylljen e procesit të transparencës", tha zoti Nano.

Në skemat piramidale, shqiptarët humbën mbi 1 miliard dollarë. Një pjesë shumë shumë e vogël e kësaj vlere u arrit të bllokohej në llogaritë bankare të firmave rentiere, ndërsa jo më shumë se 50 milionë dollarë, siç tha Kryeministri, u grumbulluan nga shitja e pasurive të firmave.

Qindra mijëra kreditorëve, më shumë se sa rikompensimi, u mbeti të kënaqeshin vetëm nga arrestimi dhe burgosja e drejtuesve të firmave rentiere, disa prej të cilëve tashmë kanë rifituar edhe lirinë.

XS
SM
MD
LG