Lidhje

Libri me kujtime i Bill Clintonit të martën në librari - 2004-06-21


Libri me kujtime i Bill Clintonit “Jeta ime” është libri që pritet më me padurim nga lexuesit amerikanë këtë verë dhe ka të gjithë elementët e romaneve më të shitura: konspiracion, skandale dhe një hero të dashur, por jo të përkryer. Libri del nesër nëpër librari dhe është vendosur në qendër të vëmendjes të mediave. Dje televzioni CBS transmetoi një intervistë ekskluzive me ish-presidentin, e para në serinë e intervistave për autobiografinë e ish-presidentit.

Ndryshimi mes këtij libri dhe të tjerëve është se publiku i ka jetuar ngjarjet shpesh tronditëse që përfshihen në këtë autobiografi.

Megjithatë nuk duket se kjo ka ndonjë rëndësi. Ata ende presin më shumë.

“Të gjitha gjërat që na lodhnin në vitin 2000, skandalet pa fund, papritur në këtë periudhë të mërzitshme Republikanizmi, duken përsëri të freskëta dhe interesante. Njerëzit duan të dëgjojnë për jetën intime të Bill Clintonit. Para katër vjetësh ishte diçka e vjetër, por tani papritur është e re dhe interesante. Bill Clintoni, pavarësisht nëse e do, apo e urren është një figurë enigmatike dhe tërheqëse”.

Pa dalë akoma nëpër librari, mbi 2 milionë kopje janë shitur me porosi të bëra paraprakisht. Këtë shpresonin edhe botuesit. Ish-presidenti ka marrë 10 milionë dollarë për të shkruar librin “Jeta ime”, shifër që mendohet të jetë më e larta e paguar ndonjëherë paraprakisht për një libër politik jo letrar.

Ish-presidenti premton të paktën disa surpriza në libër.

Ajo që shumë lexues shpresojnë të gjejnë janë hollësi të reja, ndoshta një shpjegim të marrëdhënies së tij me Monika Levinskin.

Megjithëse Klintoni i kushton vetëm një fragment të librit asaj marrëdhënieje, ai tregon se për shkak të saj ai fjeti për disa kohë në një divan.

Ai pranon gjithashtu se më pas ai dhe Zonja e Parë Hillary Clinton kishin shkuar në terapi një ditë në javë, çdo javë për një vit.

Ndërsa për përpjekjet për shkarkimin e tij nga detyra në vitin 1998, zoti Clinton thotë se ishte përballja e tij e fundit me forcat ndaj të cilave kishte qenë kundër gjithë jetën.

Ai tha se udhëheqësit republikanë në Kongres nuk e luftuan sepse gënjeu, por për arsye pushteti.

“Jeta ime” përfshin gjithçka nga jeta e Clintonit, që nga fëmijëria, tek detyra e guvernatorit dhe fushatat presidenciale.

Demokratët shpresojnë që libri t’u kujtojë amerikanëve, veçanërisht në këtë vit zgjedhjesh , kohë më të mira dhe të begata.

Por disa analistë thonë se dalja e zotit Clinton në qendër të vëmendjes nuk është gjë e mirë për kandidatin demokrat, John Kerry.

“Sigrisht rreziku i madh është që Bill Clintoni shfaqet si një yll roku karizmatik, ndërsa John Kerry si një profesor akademik i mërzitshëm”.

Njerëzit e Kerryt i hedhin me shpejtësi poshtë hamendje të tilla dhe e mbështesin ish-presidentin, duke këmbëngulur që ai vetëm mund ta ndihmojë fushatën e tyre.

Ka edhe një grup tjetër që mezi e pret librin e ish-presidentit, libraritë, të cilët që para se të dalë libri, ndjejnë erën e fitimeve:

“Ky libër padyshim që do t’i vërë libraritë në qendër të vëmendjes dhe t’i bëjë njerëzit të mendojnë për librat”, thotë botuesi Charlott Abbott.

XS
SM
MD
LG