Lidhje

Qeveria shqiptare paraqet skemën financiare për kompensimin e ish të përndjekurve - 2004-06-22


Pas një periudhe të gjatë zvarritjesh të shoqëruara me debate dhe acarime që arritën së fundi edhe në përplasje me policinë, qeveria shqiptare përgatiti skemën financiare dhe koston e kompensimit të ish të përndjekurve politikë.

Kjo skemë u prezantua sot nga Ministri i Financave Arben Malaj i cili që në fillim shprehu shqetësim për dallimet e mëdha që ekzistojnë mes të dhënave zyrtare dhe atyre të shoqatave të të përndjekurve për numrin e personave që kanë vuajtur në burgjet dhe kampent e internimit gjatë periudhës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Shifrat e zotëruara nga Ministria e Drejtësisë flasin për 9807 të përndjekur dhe 639 të pushkatuar, ndërsa ato të vetë shoqatave japin një shifër prej afër 24 mijë të persekutuar dhe mbi 6 mijë të pushkatuar.

Skema e paraqitur nga Ministri i Financave Arben Malaj sot në komisioni parlamentar të ligjeve parashikon një shpërblim mujor dhe ajo është llogaritur sipas të dyja shifrave që ekzistojnë mbi numrin e të përndjekurve: "Duke patur parasysh mundësitë për të asistuar, duke patur parasysh cfarë kanë përfitua deri më sot të përndjekurit politik, duke patur parasysh zgjidhjet krahasimore që janë bërë me të përndjekurit politik në të gjitha vendet e Europës Lindore ne si Ministri e Financave kemi këtë propozim konkret: mundësinë e një kuote mujore shpërblimi e cila përfitohet gjatë gjithë periudhës dhe ky është një risk. Për 9807 veta kostoja vjetore shkon 2 milion dollarë, sipas shifrave që mbeten për tu verifikuar të shoqatës për 23963 kos toja shkon 7 milion dollarë".

Kjo shifër u quajt e ulët dhe befasuese nga përfaqësuesit e opozitës, sipas të cilëve ajo është e pakrahasueshme me atë që është dhënë gjatë qeverisjes së partisë demokratike. Nga të dhënat zyrtare nga viti 1993 deri në vitin 1997 shteti ka kryer kompensim me para në dorë për një vlerë prej 2 miliard e 225 milion lekë, 17 miliard të tjerë në letra me vlerë si dhe ka investuar në ndërtimin e mbi 1700 apartamenteve të banimit.

Ministri Malaj saktësoi se nuk mund të bëhet një dallim i tillë përsa kohë si kompensimi i kryer në vitet ’90 ashtu dhe ai që pritet të realizohet tani janë para që dalin nga buxheti i shtetit dhe jo i partive. Ai tha se duhet bërë një vlerëim në total i asaj që shteti dhe shoqëria shqiptare kanë bërë për këtë shtresë. Sipas tij trajtimi i të përndjekurve në Shqipëri ka qenë më i mirë se ai në vendet e tjera të Europës Lindore.

Nga ana e tyre edhe përfaqësuesit e shoqatës së ish të përndjekurve e quajtën një turp propozimin e qeverisë shqiptare dhe se nuk duhen bërë paralelizma me vendet e tjera dhe kërkuan zbatimin e kodit penal dhe kushtetutës për rastet dëmshpërblimit të atyre që shpallen të pafajshëm për dënimin e kryer.

//rd//

XS
SM
MD
LG