Lidhje

Del në qarkullim libri i ish-Presidentit Klinton “Jeta ime” - 2004-06-22


Mes një vale të jashtëzakonshme interesi të martën filloi në gjithë Shtetet e Bashkuara shitja e librit të ish-Presidentit Bill Clinton “Jeta ime”. Disa librari në New York dhe Washington u hapën që në mesnatë. Shumë mendojnë se libri i zotit Clinton, është libri që pritej më me padurim për këtë vit. Korrespondentja jonë Keida Kostreci, ishte sot në një nga libraritë e Washingtonit. Që në orën 8:00 të mëngjesit në librarinë Barnes&Noble në qendër të Washingtonit, njerëzit filluan të shkonin për të blerë librin e ish-Presidentit Klinton “Jeta ime”. LIbri ka 957 faqe dhe në fillim zoti Klinton kishte menduar të shkruante dy libra: një për fëmijërinë dhe rininë e tij dhe një tjetër për Presidencën. Por shtëpia botuese i sugjeroi që t’i shkruante në një libër të vetëm. 2 milionë kopje të librit janë shitur që para se libri të dilte në qarkullim. Ish-presidenti Klinton do të shkojë në atë librari më 7 korrik për të nënshkruar kopje të librit.

Se çfarë do të mendojnë njerëzit pasi të lexojnë librin është ende e panjohur, por interesi për ta patur atë në dorë është shumë i madh. Media ka kohë që flet për librin “Jeta ime” dhe analistët mendojnë se është hera e parë që një ish-president flet kaq hapur për jetën e tij.

Zoti Klinton është një nga ish-presidentët e kohëve moderne, librat e të cilit pëlqehen më shumë. Ai është paguar 10 milionë dollarë për të shkruar librin. Por megjithë interesimin disa kritika për librin kanë qenë shkurajuese. Të dielën në një shkrim të gazetës New York Times, ai cilësohej i mërzitshëm dhe jo befasues.

Në këtë librari të Uashingtonit ishte një befasi e këndshme që njëra nga shitëset ishte shqiptare. Virgjila Shtylla ka një vit që punon në librarinë Barnes and Noble. Ajo flet për interesimin e madh për librin e zotit Klinton.

“Ka mjaft interes. Dita filloi me radhë njerëzish ndryshe nga mëngjeset e tjera. Përgjithësisht mëngjeset janë të qeta, është gazeta e ditës që kërkohet ndërsa sot njerëzit janë në radhë për të blerë librin kaq të kërkuar”, thotë ajo.

Zonja Shtylla thotë se shumë kopje të librit janë porositur që më parë nga lexuesit dhe njerëzit nuk janë të interesuar vetëm për jetën intime të ish-Presidentit.

“Them që ky libër duket të jetë nga librat më të kërkuar, të paktën orët e para të mëngjesit. Kjo tregon që ka shumë interes për këtë libër, sepse njerëzit mendojnë që do të gjejnë edhe ato çfarë i takojnë politikës së sotme natyrisht, jo vetëm jeta dhe historia intime e Presidentit Klinton”.

Edhe në librari të tjera në New York dhe Washington, njerëzit filluan ta blejnë librin që në orët e para të mëngjesit, disa edhe më shumë se një kopje.

Vetë ish-presidenti Clinton, së bashku me gruan, senatoren Hillary Rodham Clinton dhe me vajzën Chelsea morën pjesë dje në një drekë me rastin e vënies në qarkullim të librit të tij në Muzeun Metropolitan në New York.

XS
SM
MD
LG