Lidhje

Shqiperi: Parlamenti debaton për kompensimin e ish-të dënuarve politikë të komunizmit - 2004-06-23


Autoritetet shqiptare i kanë kërkuar ndihmë teknike institucioneve perëndimore në procesin e hartimit të legjislacionit mbi dëmshpërblimet e ish të dënuarve politikë dhe ish-pronarëve, të shqetësuar mbi rrezikun e prishjes së stabilitetit makro-ekonomik.

Ministri i ekonomisë Arben Malaj publikoi sot një letër drejtuar BB, FMN Komisionit Europian dhe OSBE, ku kërkohet që ato të ndihmojnë zyrtarët shqiptarë në njohjen e përvojave të skemave financiare të kompensimit që janë përdorur në vende të tjera.

Në këtë letër theksohet se gjatë hartimit të projekt-ligjeve të reja për ta zgjidhur problemin e kompensimeve, ekspertët shqiptarë po përballen me një sërë problemesh dhe vështirësish teknike, që cënojnë raportet normale mes buxhetit dhe stabilitetit makro-ekonomik.

Kjo cështje u bë edhe objekt i debateve të ndezura që zhvilloi sot Komisioni parlamentar i ekonomisë për mënyrat e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë të regjimit komnuist.

Ministri i ekonomisë, Arben Malaj, tha se skema e kompensimit financiar të ish të përndjekurve politikë që po propozohet si projekt i përmbush detyrimet morale që ka shoqëria shqiptare ndaj kësaj shtrese të vuajtur dhe nga ana tjetër është brenda mundësive reale të buxhetit të shtetit.

Ai tha se në përgatitjen e projektit janë shfrytëzuar edhe përvoja të tjera të vendeve ish-komuniste të Europës Lindore, të cilat e kanë zgjidhur probemin me skema të ndryshme.

Zoti Malaj tha se qeveria është e angazhuar të hartojë ligjet që bëjë një kompensim të drejtë dhe transparent të këtyre shtresave të popullsisë në kuadrin e reformave të nevojshme për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.

Por përfaqësues të opozitës e kundërshtuan variantin e përgatitur nga të majtët si një dëshmi e mungesës së vullnetit politik. Deputeti i PD, Ridvan Bode, i krahasoi si mjaft të pakta shumat e caktuara për ish-të përndjekurit politik me ato të disa shtresave të tjera të shoqërisë shqiptare.

Ai tha se shteti u detyrohet të dënuarve politikë të diktaturës komuniste shumë më tepër, si për burgimin e padrejtë që kanë vuajtur,ashtu edhe për punën e madhe që kanë kryer në kantiere dhe fabrika të asaj kohe.

Në mbledhjen e sotme të komisionit të ekonomisë mungonin përfaqësuesit e shoqatave të ish-të përndjekurve politikë, të cilët të japin komentet e tyre në takimin e të hënës, kur edhe projekt-ligji do të shqyrtohet nen për nen.//ii

XS
SM
MD
LG