Lidhje

30 mijë të rinj shqiptarë abuzojnë me drogat - 2004-06-26


Një grup shoqatash rinore joqeveritare zhvilluan sot në Tiranë disa veprimtari me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Trafikut Ilegal dhe Abuzimit me Drogën.

Kjo ishte një përpjekje tjetër e shoqatave shqiptare, të mbështetura nga Zyra e OKB për Drogën dhe Krimin dhe nga zyra e OSBE, për të tërheur vëmendjen e opinionit publik ndaj shtimit të përdoruesve së drogës në rradhët e rinisë.

Veprimtarë të disa organizatave vendase jo -fitimprurese në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës dhe u shpërndanin qytetarëve materiale të ndryshme mbi rrezikun e drogave për shëndetin e njeriut dhe shoqërisë. Mesazhi i kësaj dite të shpallur nga OKB 20 vjet më parë është: “Droga nuk është e pashërueshme. Ajo mund të trajtohet”.

Megjithatë, Shqipëria ende nuk ka një qendër të trajtimit dhe rehabilitimit të abuzuesve me drogat, ndonëse jozyrtarisht vlerësohet se janë të paktën 30 mijë persona që abuzojnë me drogat, ku vendin kryesor e zë marijuana, heroina dhe më pak kokaina. Një repart i vogël detoksikimi me pak shtretër për të droguarit në Spitalin Ushtarak në periferi është i pafuqishëm dhe i paspecializuar për të përballuar dukurinë që po shtrihet me shpejtësi gjatë tranzicionit.

Përmes Shqipërisë trafikohen sasi të mëdha drogash në rajon, sidomos heroinë, dhe një pjesë jo e vogël e kësaj droge të fortë konsumohet nga përdorues shqiptarë në rritje. Sipas një studimi të UNICEF, rreth 60% e abuzuesve e marrin drogën me shirnga nga damarët, duke shtuar edhe rrezikun e përhapjes së SIDA-s.

Po sipas të njëjtit burim, përdoruesit janë të rinj 17-25 vjec nga Tirana, Durrësi, Kavaja, Shijaku, SHkodra, Vlora, Berati, duke treguar se droga është më shumë një problem qyteti dhe jo një cështje rurale. Në kryeqytet, madje trecereku i tyre u përkasin familjeve me ekonomi mesatare dhe të pasura. Por nga ana tjetër, droga po përhapet me shpejtësi në familjet rome, sidomos tek fëmijët e tyre, deri edhe 12-13 vjecarë.

Ndihma e donatorëve ndërkombëtarë për policinë shqiptare për të parandaluar trafiqet ilegale, kultivimin dhe prodhimin e drogave ka qenë e madhe, por kjo ndihmë vlerësohet se është e pamjaftueshme në fushën e luftës kundër abuzimit me drogat, nga mijëra përdorues, që përbëjnë një nga shqetësimet më të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë.

//rd//

XS
SM
MD
LG