Lidhje

Libri me kujtime i ish presidentit Klinton kap shifra rekord shitjeje - 2004-06-26


Botimi këtë javë i librit të zotit Clinton të kujton se presidenti i 42-të i Shtetet e Bashkuara mbetet një nga figurat më polarizuese në politikën amerikane.

Simpatizantët e ish-presidentit Clinton dhe kundërshtarët e tij nuk i reshtën telefonatat në programe televizive, duke shprehur mendimet e tyre në favor dhe kundër tij.

Një pjesë e madhe e vëmendjes për librin deri tani është përqendruar tek mënyra sesi e ka trajtuar zoti Clinton skandalin dhe gënjeshtrat lidhur me Monika Levinski.

Bill Clinton foli për këtë çështje në intervistën në programin 60 minutes të CBS-it. “Gjithmonë do të më vijë keq për gabimin personal që bëra. Por unë do të jem gjithmonë krenar që kur republikanët filluan procedurën për shkarkim, unë nuk dhashë dorëheqjen dhe nuk mendova asnjëherë ta bëj një gjë të tillë dhe luftova. Për mua e gjithë beteja ishte një medalje nderi. Nuk e shoh si një njollë sepse ishte e paligjshme”.

Ekspertët politikë thonë se vëmendja që po rrethon zotin Clinton mund të jetë një thikë me dy presa për demokratët dhe kandidatin e tyre, senatorin John Kerry.

Ndërsa demokratët e vënë theksin tek arritjet ekonomike gjatë presidencës së zotit Clinton, republikanët nuk humbin rastin të flasin për skandalin që bëri që Bill Clintoni të ishte presidenti i dytë për të cilin Dhoma e Përfaqësuesve votoi për shkarkim nga detyra. Por Senati vendosi që ai të vazhdonte mandatin.

Zoti Clinton thotë se do që të bëjë fushatë në favor të zotit Kerry këtë vit dhe zoti Kerry duket shumë i gatshëm ta pranojë një gjë të tillë. “Unë e përshëndes librin e Presidentit dhe prezantimin e librit nëpër librari. Besoj se do t’u sjell ndër mend amerikanëve vite shumë të mira përsa i takon ekonomisë dhe drejtimeve politike që ne morëm”.

Disa demokratë mendojnë se ish-nënpresidenti Al Gore gaboi para katër vjetësh që nuk e angazhoi më shumë zotin Clinton në fushatën e tij.

Ish-shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Leon Panetta po e nxit senatorin Kerry të mos bëjë të njëjtin gabim. “Mendoj se ka njëfare ndostalgjie për gjendjen ekonomike gjatë viteve të Presidentit Clinton dhe për marrëdhëniet që kishim me botën në atë kohë. Këto janë të gjitha pluse dhe nuk mendoj se ka njeri më efektiv në fushatë sesa Presidenti Clinton”.

Republikanët e pranojnë se Bill Clinton mund të jetë i jashtëzakonshëm në fushatë. Por disa prej tyre thonë se prania shumë e dukshme e ish-presidentit në fushatën e zotit Kerry do të kishte efektin e nxitjes së votuesve konservatorë për të marrë pjesë në votime dhe për të mbështetur Presidentin Bush në nëntor.

Aktivisti konservator Bay Buchanan foli në televizionin NBC. “Nuk ka diskutim që sa më shumë të shfaqet Bill Clintoni në televizion duke folur për Monika Levinski dhe ato ditë skandaloze, aq më e favorshme do të jetë për Presidentin Bush për të marrë votat e konservatorëve”.

Por kanë mbetur ende katër muaj para zgjedhjeve dhe shumë analistë besojnë se faktori Clinton do të ketë pak ndikim në zgjedhje që kanë mundësi të përqendrohen tek gjendja në Irak dhe tek ekonomia e brendshme.

//rd//

XS
SM
MD
LG