Lidhje

Të hënën fillon takimi i nivelit të lartë të NATO-s - 2004-06-27


Presidenti Bush ndodhet në Stamboll për takimin e nivelit të lartë të Natos, që fillon të hënën dhe që pritet të përqëndrohet tek Iraku dhe Afganistani. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Paula Wolfson njofton se ndërsa po afrohet dita kur koalicioni i udhëheqësur nga Shtetet e Bashskuara në Irak do t’ia kalojë sovranitetin një qeverie të përkohshme irakiane, presidenti Bush i bëri thirrje Natos për ndihmë. Presidenti mbërriti në Stamboll nën disa masa të rrepta sigurimi. Ai anuloi planet për të udhëtuar me makinë përmes qytetit nga aeroporti, dhe mbërriti me helikopter.

Kjo ishte një shenjë e qartë e tensionit në këtë qytet ku bashkohet Azia me Evropën dhe që po ndjen ende pasoja të luftës në Irakun fqinj.

Gjatë ditëve të fundit në Turqi ka patur shpërthime bombash dhe të shtunën u hap lajmi se tre turq ishin kapur peng në Irak dhe rrëmbyesit kanë kërcënuar t’i ekzekutojnë.

Dhe ndërsa presidenti Bush u ul për takimin me Sekretarin e Përgjithshëm të Natos Jaap de Hoop Shefer, ai u pyet në se rrëmbimi i turqve do të ndikonte në takimin e Stambollit. Presidenti tundi kokën, duke shqiptuar vetëm një JO. Por presidenti foli më gjatë për sfidat e reja me të cilat ndeshet aleanca e Natos, një referencë kjo për luftën kundër terrorizmit.

“Unë shpresoja ta ndryshoja misionin e aleancës, që ajo të përballonte kërcënimet e shekullit të 21 dhe ne do të punojmë së bashku që aleanca e Natos të jetë e aftë ushtarakisht të përballojë këto sfida”, tha presidenti.

Presidenti Bush ka dy synime në Turqi. I pari, që Natoja të miratojë, të paktën në parim, një plan për të ndihmuar në stërvitjen dhe pajisjen e forcave irakiane. Synimi i dytë është forcimi i marrëdhënieve me Turqinë, vendi i vetëm mysliman në këtë aleancë.

Pak, pas mbërritjes në Stamboll, presidenti u takua me një grup klerikësh turq, që përfaqësojnë besimet myslimane, të krishtera dhe hebraike.

“Ata përfaqësojnë atë ç’ka është më e mira e Turqisë: një vend laik në politikë, por me një besim të fortë tek feja.”

Presidenti Bush shprehu ndjenja të ngjashme edhe në Ankara, ku qëndroi para se të shkonte në Stamboll.Vizita në kryeqytetin turk ishte sa domethënëse, aq edhe simbolike. Presidenti vendosi një kurorë në mazouleumin e themeluesit të Turqisë, Kemal Ataturkut. Po ashtu ai u takua me udhëheqësit e Turqisë dhe përshëndeti qeverinë e këtij vendi. Partia në pushtet në Turqi ka rrënjë islamike.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Ankarasë u vunë në provë gjatë luftës në Irak. Turqia nuk pranoi t’i vinte bazat e saj në dispozicion të aeroplanëve amerikanë. Po ashtu Ankaraja është e shqetësuar nga mundësia e autonomisë për kurdët e Irakut, meqë Turqia vetë ka një pakicë kurde në territorin e saj.

Por një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Bush, i cili foli me gazetarët me kusht që të mos identifikohej, tha se bisedimet në Ankara ishin shumë pozitive. Zyrtari tha se mosmarrëveshjet e Shteteve të Bashkuara me Turqinë mbi luftën në Irak, janë kapërcyer tashmë. Turqia, tha ai, beson se interesat e saj në Irak përputhen me ato të Shteteve të Bashkuara dhe se të dyja palët duan një Irak të qëndrueshëm dhe të sukseshëm, që jeton në paqe me vendet fqinje dhe respekton të drejtat e pakicave.

26 vendet e aleancës së Natos kanë arritur një marrëveshje paraprake për të ndihmuar në stërvitjen e forcave irakiane të sigurimit. Marrëveshja pritet të miratohet të hënën në takimin e nivelit të lartë të Natos. Por sfida më e madhe për aleancën, është të realizojë zotimin që ka marrë për të shtuar masat e sigurimit në Afganistan.

Marrëveshja paraprake për stërvitjen e forcave irakiane, pasoi disa orë negociata midis ambasadorëve të Natos. Hollësitë e saj nuk janë bërë ende të ditura, por Sekretari i Përgjithshëm i Natos, Jaap de Hoop Shefer tha se oficerët e Natos do të punojnë si brenda edhe jashtë Irakut.

Diplomatët thonë se ka ende dallime midis qëndrimit amerikan e britanik, dy vende që kërkojnë një prani zyrtare të Natos në Irak dhe qëndrimit të Francës dhe Gjermanisë, që e kundërshtojnë një prani të tillë. Diplomatët thonë se shpresojnë t’i sheshojnë mosmarrëveshjet për stërvitjen e forcave irakiane në kohën e duhur, që plani të miratohet të hënën nga udhëheqësit e Natos.

Zoti de Hoop Shefer, thotë se ai ka besim se udhëheqësit e Natos do t’i përgjigjen pozitivisht një letre të kryeministrit irakian Iyad Allawi, i cili i kërkoi Natos ndihmë për stërvitjen e forcave irakiane. Por zoti Shefer, iu përgjigj negativisht pyetjes së një gazetari, se plani i stërvitjes është vetëm hapi i parë drejt një angazhimi më të madh të Natos në Irak.

“Letra ka të bëjë me stërvitjen e trupave. Nato nuk do t’u përgjigjet pyetjeve, të cilat nuk i janë bërë ende aleancës.”

Një mision stërvitor i Natos në Irak, nuk plotëson gjithsesi shpresat e mëparshme të Uashingtonit, që aleanca të dërgonte trupa në Irak për të ndihmuar në vendosjen e rendit në këtë vend. Franca dhe Gjermania, dy kundërshtaret e luftës në Irak, nuk kanë pranuar të dërgojnë trupa.

Por është Afganistani dhe jo Iraku, problemi kryesor para udhëheqësve të Natos. Aleanca ka premtuar ta shtojë gradualisht praninë e saj ushtarakë në Afganistan, por deri tani, nuk ka qënë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë.

Zyrtarët e OKB-së, ata të agjencive ndërkombëtare të ndihmave dhe zyrtarët afganë, thonë se udhëheqësit e Natos duhet të ripohojnë angazhimin e tyre për të garantuar sigurinë në Afganistan për zgjedhjet e shtatorit, të cilat shihen si jetike për këtë vend.

Sekretari i Përgjithshëm Jaap de Hoop Shefer, tha se Natoja do ta mbajë premtimin e saj për të dërguar ekipe civilo-ushtarake në veri të Afganistanit dhe më në fund, për të dërguar trupa edhe në perëndim të këtij vendi.

“Natoja do ta respektojë atë që ne e quajmë faza e parë, pra të kemi më shumë ekipe rindërtimi në veri dhe të përgatitemi për të shkuar në perëndim dhe të ofrojmë mbështetje gjatë zgjedhjeve.”

Ndërsa udhëheqësit e vendeve të Natos mbërritën për takimin e Stambollit, autoritetet turke kanë marrë masa të forta sigurimi duke mbyllur 200 rrugë në një perimetër të gjerë rreth vendit të konferencës dhe duke ndaluar anijet cisterna të lundrojnë nëpër ngushticën e Bosforit. //ax//

XS
SM
MD
LG