Lidhje

Shpëthimi i një makinë bombë në veri të Bagdadit shkaktoi vdekjen e 17 irakianëve - 2004-06-27


Forcat e koalicionit në Irak thanë se një makinë e dyshuar bombë në Hilla në veri të Bagdadit shkaktoi vdekjen e 17 irakianëve dhe plagosjen e 40 të tjerëve.

Shpërthimi i djeshëm ndodhi 4 ditë para se Shtetet e Bashkuara t’ia kalojnë pushtetin një qeverie të përkohshme irakiane. Edhe katër veta të tjerë, përfshirë një ushtar amerikan, u vranë dje nga sulme të tjera.

Ndërkohë, kryeministri i përkohshëm i Irakut, Iyad Allawi, i tha rrjetit televiziv amerikan CBS se aktet e dhunës mund të detyrojnë shtyrjen e zgjedhjeve, që duhet të mbahen në janar të vitit të ardhshëm. Madje ai shkruajti dje në një artikull të gazetës britanike Independent se qeveria e tij po bën plane për t’u ofruar amnisti irakianëve, që kanë vepruar kundër koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara pa kryer krime. Ai shtoi se synimi i këtyre planeve është që të izolohen luftëtarët e huaj.

Ndërkohë, ekstremistët që kanë lidhje me terroristin më të kërkuar në Irak thonë se kanë rrëmbyer 3 punëtorë turq dhe do t’i ekzekutojnë ata me prerje koke në qoftë se kompanitë turke nuk largohen nga Iraku deri të martën.

Grupi i Abu Musab al-Zarkawit e bëri këtë kërcënim në një deklaratë që ia dërgoi për transmetim dje rrjetit televiziv arab Al-Xhazira. Rrjeti televiziv arab transmetoi gjithashtu një videokasetë, ku tregohen 3 personat duke mbajtur në duar pasaportat e tyre dhe pastaj duke u rrëzuar para 2 personave të armatosur e të maskuar.

Rrëmbyesit i bënë thirrje popullit turk që të zhvillojë demonstrata masive kundër vizitës së presidentit Bush në Turqi. Grupi i Abu Musab al-Zarkawit ka marrë përgjegjësinë për ekzekutimet me prerje koke të kontraktuesit koreano-jugor, Kim Sun-il dhe të civilit amerikan, Nicholas Berg, si dhe për një numër sulmesh të tjera.

//ze//

XS
SM
MD
LG