Lidhje

Kryeministri irakian në shënjestër - 2004-06-27


Ndërkohë që qeveria e përkohshme e Irakut po përgatitet të marrë pushtetin prej koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara me një korrik, terroristët kanë vazhduar sulmet e tyre. Kryeministri Iyad Allawi është kërcënuar përmes një audiokasete të transmetuar në media nga terroristi kryesor i Al Kaidës në Irak, Abu Musab Al Zarqawi.

Kryeministri e ka bërë sigurinë në Irak përparësinë e tij kryesore. Ai ka deklaruar se forcat irakiane të sigurimit po ristrukturohen nën një komandë qendrore. Detyra e tyre kryesore do të jetë ndalimi i terroristëve të huaj dhe mbeturinave të regjimit bathist që të pengojnë krijimin e një Iraku demokratik. ” Ata po mundohen të shkatërrojnë vendin tonë, dhe ne nuk do ta lejojmë një gjë të tillë, thotë zoti Allawi.

“Shumë prej këtyre njerëzve përkrahen nga ana financiare e logjistike nga burime të huaja. Qeveria ime është e vendosur t’i luftojë këta njerëz dhe të krijojë një forcë irakiane, e cila do të jetë në gjendje të ofrojë siguri për popullin irakian.”

Dan Senor, zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak, thotë se qeveria e përkohshme irakiane do të përballet me provën e saj të parë pas 1 korrik, kur të transferohet pushteti.

“Terroristët dhe besnikët e regjimit Bathist të cilët kanë shkaktuar kaq shumë telashe në këtë vend, kanë arsye të fortë sipas tyre të vënë në provë qeverinë e re. Dhe unë mendoj se mesazhet e udhëheqësve të rinj kanë qenë mjaft të forta: se ata do të bëjnë çdo gjë që të eliminojnë këtë kërcënim terrorist dhe të mos e lejojnë atë të bëhet pengesë në rrugën drejtë demokracisë.”

Presidenti Bush tha se në javët dhe muajt e ardhshëm mund të pritet akoma më shumë dhunë. “Por e ardhmja e një Iraku të lirë, thotë ai, tanimë ka filluar të shihet. Ndërsa qeveria e përkohshme e Irakut mer pushtetin dhe forcat irakiane të sigurisë mbrojnë vendin e tyre, forcat e koalicionit do të luajnë një rol përkrahës. Kryeministri Allawi dhe unë, tha presidenti Bush, jemi njësoj të vendosur. Tradhëtarët do të munden.”

XS
SM
MD
LG