Lidhje

SHBA lidhin partneritet ushtarak me Pakistanin - 2004-06-28


Presidenti George Bush e cilësoi Pakistanin, një aleat të rëndësishëm jashtë radhëve të Natos. Si rrjedhojë, Pakistani do të përfitojë nga ndihma me pajisje amerikane të mbrojtjes si dhe me programe kërkimore për mbrojtjen. Aleatë të tjerë të rëndësishëm jo-anëtarë të Natos janë Argjentina, Australia, Bahreni, Egjipti, Izraeli, Jordania, Japonia, Koreja e Jugut, Maroku, Zelanda e Re, Filipinet dhe Tailanda. Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes Adam Ereli tha se ky cilësim tregon angazhimin e Amerikës për marrëdhënie pozitive dhe afat-gjata me Pakistanin.

Mushahid Hussain, kryetar i Komisionit të Senatit Pakistanez për Marrëdhënie me Jashtë tha se shtimi i bashkëpunimit në çështjet e sigurimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Pakistanit është në të mirë të mbarë rajonit të Azisë Jugore:

“Mendoj se ky hap është shumë pozitiv për sigurinë kombëtare të Pakistanit dhe për stabilitetin rajonal,” tha zoti Hussain.

Ai shtoi se është e qartë se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin rolin që po luan Pakistani në luftën kundër terrorizmit:

“Kjo masë nënkupton se Shtetet e Bashkuara e vlerësojnë rolin e Pakistanit si një lojtar i rëndësishëm në fushatën kundër terrorizmit pas sulmeve të 11 shtatorit, gjithashtu kjo masë tregon se ky është një rol pozitiv dhe njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar,” tha zoti Hussain.

Autoritetet pakistaneze kapën kohët e fundit 10 persona të dyshuar si terroristë që kanë lidhje me al-Kaidën. Ndër ta përfshihet Masoob Aroochi, nipi i Khalid Sheik Mohamadit, personi që dyshohet si ideator i sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara. Ministri i Brendshëm i Pakistanit, Faisal Hayat tha se tetë ndër të dyshuarit “pohuan se kishin luajtur një rol kyç” në përpjekjet për atentat më 10 qershor ndaj gjeneralit Ahsan Saleem Hayat. Edhe Dawood Badeni, një udhëheqës i lartë i grupit terrorist Lashkar-i-Jhangvi po mbahet në Pakistan në gjendje arresti. Mendohet se ai ka planifikuar sulmin e marsit ndaj procesionit në Queta, në Ditën e Hashures, nga i cili gjetën vdekjen më shumë se 40 vetë.

Presidenti George Bush ka thënë se Pakistani nuk është i vetëm në qëndresën e tij ndaj kërcënimit të al-Kaidës dhe grupeve të tjera terroriste:

“Armiqve të lirisë i kundërvihet një aleancë e gjerë e cila vazhdon të rritet, vende që fituan Luftën e Ftohtë, vende të cilat dikur jetonin pas perdes së hekurt dhe vende në çdo kontinent, që e shohin qartë këtë kërcënim,” tha presidenti Bush.

Ashtu si në luftrat e shekullit të kaluar, tha presidenti Bush, vendet e qytetëruara janë angazhuar së bashku në këtë luftë.

XS
SM
MD
LG