Lidhje

Ekstremistë palestinezë aktivizuan një sasi të madhe eksplozivi; vriten të paktën 5 izraelitë - 2004-06-28


Ekstremistët palestinezë aktivizuan një sasi të madhe eksplozivi poshtë një baze të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, duke shkaktuar plagosjen e të paktën 5 izraelitëve. U njoftua për shkëmbime të ashpra zjarri, ndërkohë që palestinezë të armatosur hapnin zjarr kundër trupave izraelite që evakuonin të plagosurit për t’i çuar në spital.

Ekstremistët palestinezë hodhën në erë një bombë të madhe në një tunel, që kishin hapur poshtë një baza të ushtrisë izraleite, duke dëmtuar rëndë një ndërtesë prej betoni.

Ushtarët e plagosur u nxorën nga poshtë rënojave në një bazë të ushtrisë në pikë-kalimin Kisufin në Rripin e Gazës.

Gjatë evakuimit të të plagosurve, ambulancat izraelite u sulmuan vazhdimisht nga palestinezë të armatosur, ndërkohë që trupat izraelite iu kundër-përgjigjën zjarrit.

Grupi islamik ekstremist Hamas dhe organizata Brigada e Martirëve Al-Aksa, krahu i armatosur i fraksionit Fatah të presidentit palestinez, Jaser Arafat, morën së bashku përgjegjësinë për sulmin.

Këto dy grupe, që të dy në listën e departamentit amerikan të shtetit të organizatave terroriste, thanë se shpërthimi u krye në hakmarrje për vrasjen e udhëheqësve të lartë të organizatave të tyre nga ushtria izraelite.

Në qytetin e Gazës, rreth 2 mijë veta, përfshirë rreth 100 persona të armatosur, dolën nëpër rrugë që të festonin.

Shpërthimi i djeshëm ishte sulmi i parë i sukseshëm palestinez kundër trupave izraelite në Gaza në më shumë se një muaj.

Më 12 maj, palestinezët hodhën në erë një automjet të blinduar, duke vrarë 5 ushtarë përgjatë rrugës Philadelphia, e cila ndan Egjiptin nga Rripi i Gazës.

Kabineti izraelit ka miratuar në parim një plan të kryeministrit Ariel Sharon për tërheqjen e trupave dhe largimin e të gjitha vend-banimeve hebraike nga Rripi i Gazës deri në fund të vitit 2005.

//ze//

XS
SM
MD
LG