Lidhje

Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias Italiane Pier Luigi Vinja në Shqipëri - 2004-06-30


Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias Italiane Pier Luigi Vinja tha të mërkurën në Tiranë se paketa antimafie e përgatitur nga Ministria shqiptare e Drejtësisë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Sipas tij kjo paketë përmban jo vetëm masa të forta shtypëse për krimin e organizuar, vecanërisht atë ekonomik, por parashikon dhe masa të forta parandalimi.

Prokurori Vinja u shpreh se në këtë mënyrë do të forcohet bashkëpunimi mes organeve të drejtësisë së të dy vendeve. Ai shpjegoi se po diskutohet edhe mbi një projekt për hetime të përbashkëta mbi krimin e organizuar që vepron në Itali e Shqipëri.

Zoti Vinja vleresoi edhe arrestimet e javës së shkuar në Shqipëri ku u godit një rrjet i trafikut ndërkombëtar të drogës duke u shprehur se u arrit të priteshin fijet kriminale që lidhnin Italinë me Shqipërinë në këtë trafik.

Drejtuesit më të lartë të antimafias italiane mbërritën sot në Shqipëri për të marrë pjesë në prezantimin e paketës së re ligjore antimafia të përgatitur me ndihmën e tyre të drejtpërdrejtë. Pas takimit me Kryeministrin Fatos Nano Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias Pier Luigi Vinja tha se ai i kishte lexuar projektligjet e hartuara dhe se i konsideronte ato të një rëndësie të jashtëzakonshme.

"Janë të një rëndësie të jashtëzakonshme sepse e afrojnë Shqipërinë me BE si legjislacion, sepse nuk merren vetëm me shtypjen e kriminalitetit, veçanërisht atij ekonomik, por kanë parashikuar edhe masa shumë të forta parandalimi. Kështu për shembul pasuritë që do të sekuestrohen apo konfiskohen do të shërbejnë për komunitetin", tha zoti Vinja. Ai shtoi se ky legjislacion do të ndikojë për hetime gjithnjë e më të pavarura edhe për organet e drejtësisë shqiptare.

Pas disa ditësh Ministri shqiptar i Drejtësisë Fatmir Xhafa do të jetë në Itali për një takim me homologun e tij italian ku do të përcaktohen pikat për disa projekte bashkëpunimi. Njëri prej tyre ka të bëjë edhe me hetimet e përbashkëta.

Sipas prokuroit Vinja ky project parashikon që për hetimet që zhvillohen në Shqipëri pranë ekipit shqiptar do të ketë një përfaqësues Italian në rolin e vëzhguesit dhe ndihmësit, ashtu si dhe për hetimet në Itali që lidhen me grupe shqiptarësh do të ketë një përfaqësues nga organet shqiptare të drejtësisë.

I pyetur nga Zëri i Amerikës për rrjetin e trafikut të drogës që vepronte me Italinë e që u godit javën e shkuar, zoti Vinja deklaroi se ai ishte një grup shumë i rrezikshëm. Sipas tij arrestimet e bëra këputën fijet kriminale të trafikut që zhvillohej mes Shqipërisë dhe Italisë.

Antimafia italiane ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me institucionet shqiptare të Drejtësisë. Pothuajse të gjitha arrestimet e grupeve kriminale apo të trafikut janë kryer falë të dhënave të ofruara nga pala italiane.

XS
SM
MD
LG