Lidhje

Arabia Saudite: vritet njëri prej terroristëve të dyshuar më të kërkuar - 2004-07-01


Autoritetet saudite thonë se forcat e sigurimit kanë vrarë një prej terroristëve të dyshuar më të kërkuar në Arabinë Saudite gjatë një shkëmbimi zjarri në Riad.

Ministria e brëndshme saudite njoftoi se i vrari është Abdullah Mohamed Rashid al-Roshud, i cili ishte në listën e 26 terroristëve të dyshuar më të kërkuar të Al-Kaidës, listë që u bë publike kohët e fundit nga qeveria saudite.

Ministria njoftoi se edhe një polic u vra në përleshjen e djeshme në Rijad.

Muajin e kaluar, forcat e sigurimit vranë kreun e Al-Kaidës në Arabinë Saudite pasi celula e tij ekzekutoi me prerje koke një peng amerikan. Dje, ky grup tha se amnistia një mujore e princit Abdullah për dorëzimin e ekstremistëve do të dështojë.

Ndërkohë, njoftohet se Al-Kaida u ka thënë përkrahësve të vet në fillim të këtij viti se sulmet terroriste kundër Spanjës do ta detyronin Madridin që të tërhiqte trupat e tij nga Iraku. Me sa duket këto komente përfshiheshin në një dokument të Al-Kaidës, që iu shpërnda ekstremistëve islamikë në Spanjë rreth 2 javë para shpërthimeve të 11 marsit në metronë e Madridit.

Autoritetet spanjolle fajësuan Al-Kaidën për atë sulm, nga i cili humbën jetën 191 veta. Radio France International transmetoi dje ato që tha se ishin pjesë të një dokumenti, në të cilin Spanja përshkruhej si “lidhja më e dobët” në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak.

Mendohet se sulmet e 11 marsit luajtën një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e Hose Luiz Rodrigez Zapatero në postin e kryeministrit të vendit. Zoti Zapatero i tërhoqi trupat spanjolle nga Iraku në fund të muajit maj.

//ze//

XS
SM
MD
LG