Lidhje

Serbi: kandidati reformator fiton zgjedhjet presidenciale - 2004-07-02


Udhëheqësi i Partisë Demokratike të Serbisë, Boris Tadiç, është zgjedhur president i Serbisë. Zoti Tadiç mundi Tomislav Nikoliçin, kandidat i Partisë Radikale ultra-nacionaliste të Serbisë. Zgjedhjet ishin të rëmdësishme së pari për faktin se rezultatet u shpallën të vlefshme: tre zgjedhjet e mëparshme presidenciale u deklaruan të pavlefshme pasi nuk pati një pjesëmarrje të mjaftueshme në votime.

Këto zgjedhje ishin me rëndësi edhe për dallimin e qartë ndërmjet dy kandidatëve. Zoti Nikoliç ka pikëpamje të forta anti-perëndimore. Ky ish- aleat i presidentit të mëparshëm serb Sllobodan Millosheviç u zotua të mos detyronte serbët e kërkuar të dorëzoheshin në Gjykatën ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara. Zoti Millosheviç po gjykohet në Hagë nën akuzat për krime lufte lidhur me konfliktet e viteve ’90 në Ballkan. Zoti Nikoliç e bëri të qartë se donte të rikthente nën kontrollin e Serbisë Kosovën, e cila, që prej vitit 1999 administrohet nga Kombet e Bashkuara.

Kandidati i Partisë Demokratike Boris Tadiç bëri fushatë për integrim në institucionet euro-atlantike dhe zhvillimin e një ekonomie tregu për të lidhur Serbinë me Bashkimin Evropian. Ai tha gjithashtu se “respekton” rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, e cila e vendosi Kosovën nën protektoratin e Kombeve të Bashkuara. Zoti Tadiç tha se ka në plan të hapë një raund të dytë bisedimesh mbi të ardhmen e Kosovës:

“Ne duhet të negociojmë për Kosovën; pa dyshim ne e respektojmë Rezolutën 1244,” tha zoti Tadiç.

Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli i mirëpriti rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë:

“Shtetet e Bashkuara e uruan zotin Boris Tadiç për fitoren në zgjedhjet presidenciale në Serbi; ne përgëzojmë popullin serb për pjesëmarrjen në procesin demokratik. Qeveria e Shteteve të Bashkuara mirëpret bashkëpunimin me presidentin Tadiç si dhe me kryeministrin Koshtunica si dhe udhëheqës të tjerë të Serbisë,” tha zoti Ereli.

Këto zgjedhje, shtoi zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Adam Ereli “përfaqësojnë një tjetër hap në reformat demokratike që populli serb filloi në tetor të vitit 2000.”

XS
SM
MD
LG