Lidhje

Presidenti Bush dhe senatori John Kerry flasin mbi ekonominë e vendit - 2004-07-04


Presidenti Bush përmendi statistikat e punësimit si një shenjë e zhvillimit të vazhdueshëm ekonomik pasi në muajin qershor u hapën më shumë se 100 mijë vende të reja pune.

“Me hapjen e vendeve të tjera të punës dhe nivelin më të ulët të papunësisë, ne po shikojmë një shtim të besimit të konsumatorëve, të ardhura më të larta, shtim të nivelit të pronësisë dhe një rikthim të ndjenjës së mundësisë.”

Ndërkohë që qershori ishte muaji i dhjetë me radhë që shënoi shtimin e nivelit të punësimit, numri i vendeve të reja të punës ishte më pak se gjysma e mesatares mujore deri tani, ndërkohë që niveli i papunësisë mbeti i pandryshuar, 5 presje 6 përqind.

Demokratët thonë se rimëkëmbja e ngadaltë ekonomike është shkaktuar pjesërisht nga shkurtimi rekord i taksave nga presidenti Bush në favor të amerikanëve më të pasur gjë që po shton deficitin federal.

Presidenti Bush tha se demokratët janë angazhuar në atë që ai e cilësoi si një lloj lufte klasash, që dështojnë të shikojnë drejtësinë bazë të shkurtimeve të taksave për të gjithë amerikanët. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, presidenti tha se ulja e taksave po forcon frymën amerikane të sipërmarrjes.

“Kur njerzit lejohen të paguajnë më pak taksa dhe të çojnë në shtëpi më shumë para nga rroga e tyre, kjo është pozitive për familjet, që përpiqen të përmbushin përgjegjësitë e tyre, është pozitive për bizneset, që duan të tërheqin konsumatorë të rinj dhe për ata njerëz që kërkojnë punë në ekonominë tonë që po zgjerohet.”

Senatori Kerry tha se politikat ekonomike të presidentit Bush po bëjnë që shumë prej njerzve që kërkojnë punë të bëjnë punë me paga më të ulëta dhe pa kompensime.

Në fjalimin që mbajti në radio në emër të Partisë Demokrate, kandidati presidencial tha se plani i tij ekonomik do të shtojë fondet për arsimin dhe kujdesin shëndetsor, duke përmirësuar kushtet për punëtorët amerikanë.

“Është një plan që i vë dhe i mban punët me pagesë të mirë në qendër të ekonomisë tonë. Plani im do të parandalojë pagimin e kompanive të ndryshme që t’i çojnë vendet e punës nëpër botë.”

Senatori Kerry e përdori fjalimin e tij në radio për të përkujtuar 40 vjetorin e miratimit në ligj të aktit amerikan për të drejtat civile, i cili jashtëligjësoi pjesën më të madhe të diskriminimit racial. Ai është kritikuar gjatë javës së fundit se nuk u ka kushtuar mjaft vëmëndje votusve afrikano-amerikanë, të cilët tradicionalisht mbështesin kandidatët demokratë.

Senatori nga Masachuset tha se ata njerëz që luftuan për të drejtat civile nuk duhet të pushojnë nën petkun e asaj që ai e cilësoi si paramendim i gabuar se puna është çuar në fund.

“Ne kemi hequr pengesat e urrejtjes që nuk na lejonin të pinim ujin e të njëjtit burim ose të shkonim në të njëjtën shkollë. Hapi i ardhshëm në udhëtimin tonë duhet të jetë heqja e pengesave që nuk na lejojnë të pimë ujin e të njëjtit burim mundësish.”

Presidenti Bush dhe senatori Kerry i bënë këto komente para ditës së pavarësisë amerikane, që është sot. Ndërkohë që amerikanët festojnë lirinë e tyre, presidenti Bush tha se ata nderojnë sakrificat e burrave dhe grave, që mbrojnë lirinë e tyre në ushtrinë amerikane.

//ze//

XS
SM
MD
LG