Lidhje

Shqipëria drejt privatizimit të kompanive ALBTELECOM dhe ARMO - 2004-07-04


Dy nga kompanitë më të mëdha shtetërore të telefonave dhe naftës, do të privatizohen me tender të hapur ndërkombëtar prej investitorëve strategjikë.

Qeveria shqiptare miratoi paketën ligjore për privatizimin e Albtelekom dhe ARMO, pas nje procesi disavjeçar te tyre. Zyrtaret u angazhuan pernjë transparencë sa më të madhe ndaj publikut dhe konkurrencë të lartë ndërkombëtare të investitorëve që do të paraqiten.

Për kompaninë e telefonisë fikse Albtelekom, sipas ligjit përkatës që përmban fomulën dhe kriteret, aksionet do të shiten 51-76%. Për këtë shoqëri investitorit strategjik do t’i ofrohet maksimumi që lejon ligji, dhe kjo do ta bëjë atë mjaft tërheqëse për çdo investitor që do të paraqitet për blerje. Po sipas ekspertëve, një tjetër element shumë tërheqës i paketës së aksioneve të shoqërisë Albtelekom, është fakti që pjesë e saj do të jetë edhe liçensa e shërbimit të telefonisë celulare, nëpërmjet shoqërisë së re “Eagle Mobile”, që u krijua pak muaj më parë si një degë e kompanisë Albtelekom.

Ndërsa për Kompaninë e naftës ARMO investitorit strategjik do t’i ofrohen mbi 51% të aksioneve të paketës. Specialistët pohojnë se kjo lejon hapësira të mjaftueshme për të vendosur gjatë bisedimeve me investitorët që do të shfaqin interes në fazën e parë.

Autoritetet njoftuan se për këto dy kompani do të zhvillohet një fushatë reklamash në shtypin e specializuar botëror, për të qenë sa më të pranishëm me tregjet ndërkombëtare dhe për të tërhequr investitorë të rëndësishëm strategjikë.

Shqipëria privatizoi vitin e kaluar Bankën e Kursimeve në vazhdën e një procesi shumëvjeçar të shitjes së kompanive më të mëdha shtetërore. Analistë vendas dhe të huaj vlerësojnë që privatizimi i ndërmarrjeve të tilla të mëdha si Albtelekomi, shoqëria e naftës ARMO, apo Banka e Kursimeve kanë një rëndësi dhe vlerë disafishe për zhvillimin ekonomik të vendit, reformimin e ekonomisë dhe zhdukjen e pozitave monopoliste qe zotërojne këto ndërmarrje në tregun shqiptar.

Ekspertët mendojnë se një mori vështirësish të brendshme dhe të jashtme kanë vonuar,apo zvarritur procesin e privatizimeve strategjike në Shqipëri, siç janë tronditjet e bursave ndërkombëtare nga aktet terroriste,apo edhe paqëndrueshmëria e jetës politike në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG